LAJMI I FUNDIT:

Emocionale – Flet gruaja e Dr. Florit: Ju tregoj 10 vitet krah tij

Emocionale – Flet gruaja e Dr. Florit: Ju tregoj 10 vitet krah tij

Ishte aq i vrullshëm sa dhe jetën preferoi të shijonte ashtu me nxitim. Brenda një dekade ata i përjetuan të gjitha, u dashuruan, u martuan, u bënë prindër dhe u ndanë.

Një ndarje thjesht fizike kjo për Blerina Lecini Kondin nga bashkëshorti i saj muzikant, Florian Kondi i “West Side Family”. Nga mëngjesi i nëntorit kur ai mbylli sytë, Blerina vazhdon të flasë për të si për dikë që jeton, sikur është nisur për diku dhe e pret të kthehet.

Lotët nuk i janë tharë edhe pse jeton në një gjysmë realitet, të cilit s’do kurrsesi t’i besojë. E mbështetur pas besimit në Zot, Blerina tani komunikon me gjuhën e shpirtit. Atë që jetoi me Florin e kujton si një histori pasionante dashurie, të një vajzë normale me artistin me shpirt të lirë që jetonte jashtë rregullave.

Për herë të parë rrëfen për “Story” të vërtetat e saj për Dr. Florin, rikthimin tek familja e tij bashkë me Kaltrinën dhe Danielin, dhe si e projekton jetën në të ardhmen. Si dhe biografinë që po mendon të shkruajë. Tre muaj pas ndarjes nga jeta e Dr. Florit, ruan një mesazh prej tij që kur e lexon të jep forcë? Po, kam një mesazh të fundit që Dr. Flori ia kishte dërguar pastor Torit, dhe që flet shumë për lidhjen e tij me Zotin, lidhje që i jepte qetësi shpirtërore. Mesazhin po ua citoj ashtu siç e ruaj në aparatin tim celular: “Zoti më do shumë, shumë, shumë, aq sa do të duheshin 1000 jetë që t’ia shpërbleja sadopak. Le të kërcasin fort daltat mbi mua nga skulptori im në qiell dhe nga shërbëtorët e tij në tokë. Shpirti im nuk ka qenë kurrë më i mbushur dhe i realizuar se sa sot.”


Si ka ndryshuar jeta jote dhe e dy fëmijëve, Kaltrina dhe Daniel? Cilat janë kujtimet më të bukura që të vijnë në mendje nga jeta me Dr. Florin?

Është ende shumë herët për ta përcaktuar se si ka ndryshuar jeta jonë. Për ne është ende e pabesueshme që ai nuk ndodhet më mes nesh, aq më tepër kur në 28 shkurt ai do të festonte 36 vjetorin… Na duket sikur ka ikur diku dhe do të kthehet përsëri. Kujtimet më të bukura janë planet tona që bënim shpesh për të ardhmen, janë shakatë me njëri-­tjetrin, janë ato videot për të qeshur që regjistronim me telefon, të cilat tani i ruajmë si pasuri më vete.

Po ato të këqija? Kujtimi më i keq është fakti që nuk do të jetë më fizikisht… Ikja e Dr. Florit nga kjo botë u komentua për mënyrën se si ai u nda nga jeta. Mund të na rrëfesh të vërtetën tënde? Çfarë ndodhi në shtëpinë tuaj atë mëngjes nëntori?

Ndarja e tij nga jeta ishte një aksident… As unë nuk e kam kuptuar ende se si ndodhi.

Si njeriu më i afërt ç’mund të na tregosh për stilin e tij të jetës, dhe a kishte vërtet varësi nga droga?

“Varësi” është një term që ka shumë hapësira dhe lë vend për interpretime të ndryshme. Çdokush mund të flasë për varësinë sipas perceptimit personal. Ajo që për dikë është varësi, për një person tjetër mund të mos jetë. Nga ky këndvështrim, pra ai personal, unë shpreh bindjen se kjo lloj varësie nuk ekzistonte tek Flori. Nëse Flori kishte ndonjë varësi, kjo ishte për artin, për krijimin e këngëve që kishin mesazh për të gjithë shoqërinë. Ai kishte varësi për t’i dashur të gjithë…

Në janar mbushe 29 vjeç dhe tashmë je prind i vetëm për dy fëmijët tuaj. Ke gjetur forcë brenda vetes për ta përballuar këtë humbje?

Kam dy fëmijë që më japin forcën, për të cilën kam nevojë. Kam familjen time dhe atë të Florit. Kam edhe familjen e madhe të kishës “Rilindja”, të cilën Flori gjithmonë më thoshte se janë familja jonë. Jemi me shumë fat që kemi patur mundësinë të njihnim njerëz si ata dhe do t’i kemi pranë në çdo moment… Dhe ashtu ndodhi!

Ke një komunikim shpirtëror me Florin tani, meqë të dy kishit lidhje speciale me Zotin?

Kam lidhje shpirtërore në çdo moment, në gjithçka që më ndodh. Çdo situatë, ngjarje me të cilën përballem tani, mundohem ta interpretoj ashtu siç bënim kur ishim bashkë fizikisht. Çdo ditë e re që nis, ai është me mua dhe e di se atje ku është sot është në një vend më të mirë, është aty ku kishte zemrën e tij, tek Perëndia. Sigurisht, na mungon shumë të gjithëve, mua, Kaltrinës, Danielit, prindërve të tij, Albanit, Idës, fansave, miqve, pastorit dhe gjithë anëtarëve të tre kishave “Rilindja” në Tiranë.

Ka pasur momente apo ditë që të ka mposhtur dhembja? Si e ngushëllon veten këtë periudhë të errët të jetës?

Asgjë s’më mposht mua, pasi e kam vërtetuar që jam shumë e fortë. Por ngushëllohem duke e ndjerë ikjen e tij vetëm si një mungesë fizike. Ai është çdo ditë me ne, në të gjitha bisedat tona, me dashurinë që kishte për Perëndinë dhe për njerëzit, me vitalitetin e tij të jashtëzakonshëm, me buzëqeshjen që nuk i ndahej asnjëherë, me shakatë e tij, me këmbënguljen, me cilësinë e artit që prodhonte, me dashurinë atërore që po rritej çdo ditë tek Flori… Ka kaq shumë për të thënë për të, ndaj edhe mungesa e tij është e pazakontë.

Cilët nga miqtë e Florit janë më pranë teje tani, dhe si e kaloni kohën bashkë?

Të gjithë miqtë e Florit. Janë aq shumë saqë kam frikë se do të harroj ndonjë. Janë bekim shumë i madh, janë të shumtë. Nuk gjej fjalë për t’i falenderuar!

Ke ndonjë peng në lidhje me të, dhe mendon se dhe atij i ka mbetur diçka peng?

Do të doja t’i përgjigjesha kësaj pyetje duke cituar atë që tha Pastori ditën kur përcollëm Florin… Iku kur unë dhe ai po përjetonim një romancë të re, kur Kaltrina kishte nisur të bëhej shoqja e tij, kur Danieli, gëzimi i tij, ende s’kishte mësuar t’i thërriste “babi”, kur Albani ishte në pritje të një bashkëpunimi të ri, kur sapo kishim filluar të ëndërronim për një familje shumë shumë të madhe… Kishim në plan të bënim dasmë këtë verë. Flori kishte gjetur edhe vendin se ku do të bëhej dasma. Të gjitha këto janë pengu ynë dhe i atij…

Ke menduar të ulesh dhe të shkruash një libër biografik, dhe çfarë detaji nuk harron nga dhjetë vite lidhje?

Nuk e mohoj që më ka kaluar nëpër mend të shkruaj një libër për Florin, por është ende herët për ta menduar konkretisht. Është e vështirë t’i përmbledhësh 10 vite në një detaj. Një nga gjërat që e karakterizonte më shumë ishte përkujdesja që tregonte ndaj meje kur unë nuk ndihesha mirë fizikisht, ose sa shumë merakosej kur më duhej të largohesha diku.

Si po vazhdon jeta juaj tashmë?

Tani jemi kthyer tek shtëpia e prindërve të Florit, pasi aty kemi kaluar pjesën më të madhe të martesës sonë. Vetëm pas ardhjes në jetë të djalit Daniel jetuam të veçuar, pra tre muajt e fundit.

Rikthimi im dhe i fëmijëve tek familja e Florit ishte mënyra e parë që na erdhi në mendje për t’u përballur me atë që na ndodhi. Ishte diçka organike që e ndjeva se duhet ta bëja.

Rikthimi pranë familjes së tij do të thotë se ju e keni lidhur jetën me ta? Ke pasur momente qartësimi për të projektuar të ardhmen ndryshe?

Jam shumë e lidhur dhe e them me bindje se kështu do të jemi gjithmonë. Pavarësisht asaj që ndodhi ata do të mbeten familja ime. E vetmja qartësi që kam momentalisht është që të bëj të pamundurën që fëmijët e mi të rriten në një ambient, ku nuk u mungon dashuria dhe përkushtimi. Ku kanë çdo gjë për të cilën kanë nevojë dhe këtë do të mundohemi ta arrijmë çdo ditë nga pak, duke kryer detyrimet e përditshme dhe duke mos lënë pas dore ato gjëra që kanë rëndësi.

Çfarë pasurie ju la Dr. Flori, a kishit një shtëpi tuajën?

Ne e kishim një shtëpi tonën, por e shitëm sepse donim të jetonim diku afër familjes së Florit.

Tashmë i je rikthyer punës apo kujdesesh vetëm për dy fëmijët?

Aktualisht kam një punë që më lejon të menaxhoj kohën më së miri e që t’u përkushtohem maksimalisht fëmijëve. Familja e Florit po më ndihmon shumë në këtë aspekt.

Si do e përjetësoni emrin e tij në muzikë, çfarë do të ndodhë me krijimet që ju ka lënë?

Këto ditë po punohet shumë për ndërtimin e një studioje regjistrimi tek Kodra e Diellit, ku kemi edhe njërën nga kishat. Albani është ai që do ta drejtojë dhe studioja do të mbajë emrin “Dr. Flori”. Ndërsa miqtë e tij artistë do të regjistrojnë këngët e tyre duke bërë që emri i mikut të tyre të jetojë tashmë në një tjetër dimension.

Ka lënë tekste gati, apo ndonjë dedikim për ju?

Ka lënë shumë tekste këngësh, të cilat do të bëhen këngë në këtë studio. Sa për dedikime, Flori nuk dedikonte këngë. Ai inspirohej nga momenti, por mund të them që e ka lënë një tekst special për mua dhe fëmijët, dhe që e ka titulluar “Realitet”

Cila ka qenë kënga juaj e dashurisë dhe çfarë muzike dëgjon tani në mungesë të tij?

Dëgjoj këngët që ai kishte më shumë përzemër dhe do të donte që unë dhe Kaltrina t’i dëgjonim. Këngët tona ishin disa, por ajo që e bënte Florin të përlotej ishte kënga e njërit prej vëllezërve korçarë, Endrit, balada “Do vazhdoj të flas!”

Personi që donte vërtet shumë ishe ti, gruaja e tij. Na trego pak ç’rastësi ju takoi edhe pse nuk i përkisni të njëjtës fushë?

U njohëm rastësisht nëpërmjet shoqërisë së përbashkët, ashtu siç ndodh në këto raste. Në atë kohë unë e njihja Florin si artist, por nuk mund të them se isha fanse e tij. Isha ende e re në moshë, vetëm 19 vjeçe dhe nuk kisha mundësi të dilja natën, pasi kështu ishin rregullat e familjes sime.

Ndaj edhe koha që kalonim me njëri­tjetrin ishte e përqëndruar vetëm gjatë ditës. Kalonim shumë kohë me njëri­tjetrin, vinte përditë tek puna ime dhe pothuajse çdo drekë e kalonim bashkë, derisa e kuptuam që nuk mjaftonte vetëm dita, pasi kishim nevojë për më shumë, kishim nevojë për praninë e pakushtëzuar të njëri­tjetrit. Pastaj Flori erdhi tek shtëpia ime që të njihej me prindërit e mi.

Pas asaj kohe e kuptuam se ishim të dashuruar dhe tashmë i përkisnim njëri­tjetrit. Si do e përshkruaje çiftin tuaj, jetonit në qetësi apo me ulje­ngritjet tuaja? E kam më të thjeshtë të them se çfarë nuk ishim se sa çfarë ishim.

Ne nuk ishim një çift tradicional, nuk binim asnjëherë në monotoni dhe kjo si pasojë e karakterit që kishte Flori. Marrëdhënia jonë, pavarësisht viteve nuk ra asnjëherë në pasivitet, na gëzonin gjërat e thjeshta… Ne nuk kishim nevojë për lukse, dhurata apo udhëtime të shtrenjta për t’u ndjerë të vlerësuar nga njëri­tjetri.

Pavarësisht zënkave, pasioni mes nesh nuk u shua asnjëherë.

Për çfarë grindeshit zakonisht?

Nuk besoj se ekziston ndonjë lloj marrëdhënieje njerëzore në të cilën nuk ka zënka. Zënka kishim, si çdo çift të martuarish që jetojnë bashkë dhe mundohen të përshtaten me zakonet e njëri­tjetrit, por asnjëherë nuk është menduar për ndarje apo gjëra të kësaj natyre siç është përfolur herë pas here.