LAJMI I FUNDIT:

Emisari gjerman, Sarrazin: Dy gabimet e mëdha të BE-së, njëri mosliberalizimi i vizave për Kosovën

Emisari gjerman, Sarrazin: Dy gabimet e mëdha të BE-së, njëri mosliberalizimi i vizave për Kosovën

Mosliberalizimi i vizave për Kosovën po del të jetë gabim i qartë dhe i madh i Bashkimit Evropian për emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sarrazin, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se dy nga gabimet që duhet të korrigjohen nga Bashkimi Evropian është që të hapen negociatat për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e po ashtu të liberalizohen vizat për Kosovën.

“Të hapim negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe më në fund të bëjmë liberalizimin e vizave me Kosovën. Pra, duhet të korrigjojmë dy gabime pasi që këto vendime do të duhej ishin marrë shumë më herët. Pra, duhet t’i korrigjojmë ato”, ka thënë emisari gjerman, duke shtuar se mosmarrja e këtyre vendimeve janë gabime të mëdha dhe të qarta.


Sipas Sarrazin, tani është momentumi kur duhet të korrigjohen këto gabime dhe përmes korrigjimit të krijohet një dinamikë pozitive.

Sarrazin ka thënë se Kosova ka përmbushur që një kohë të gjatë kriteret për liberalizim të vizave dhe se janë duke punuar që t’i bindin dhe miqtë e tyre në mënyrë që të ndodhë ky proces.

“Mund të them se ne po i shtyjmë këto argumente te miqtë tanë. Ne po flasim me miqtë tanë dhe po ju themi se kriteret janë plotësuar që një kohë të gjatë. Nëse ne mund të gjejmë zgjidhje të cilat janë ndihmuese dhe po mundohemi të shpjegojmë edhe dimensionin politik të gjithë kësaj”, ka thënë ai.

Tutje emisari gjerman ka shtuar se BE duhet t’ju tregojë qytetareve të Kosovës se ky vend nuk është në fund të procesit dhe se është një shpresë se këta qytetarë do të kenë një reformë që do të kalojë në këtë vend, ndonëse, sipas Sarrazin mund të ketë probleme me njohjet të cilat janë në tavolinë.

“Duam të tregoni angazhim për vlerat tona duke e luftuar korrupsionin, të keni sundim të ligjit e gjëra të ngjashme të cilat janë të rëndësishme për ne. Pra, liberalizimi i vizave është i nevojshëm që t’u tregohet njerëzve në Kosovë se ne nuk ju kemi harruar, se ju jeni të barabartë, jo vetëm me ne, por edhe me rajonin”, ka shtuar tutje ai.

Sarrazin është pyetur nëse Kosovës nuk po i liberalizohen vizat pasi vendimmarrësit mendojnë se qytetarët e Kosovës janë kriminelë apo do ta kriminalizojnë vendin e tyre.

Ai ka thënë se është vërtetë që ekziston problemi i kriminelëve dhe se  kriminelët nga Ballkani Perëndimor veprojnë në bashkëpunim me kriminelët me bazë në Evropën Perëndimore.

Por, sipas tij, ky problem do të ekzistojë pa marrë parasysh a bëhet a jo liberalizimi i vizave.

“Nuk mendoj se dikush që është aktiv në aktivitete kriminale ka nevojë për liberalizim të vizave që të udhëtojë në Bashkimin Evropian”, tha Sarrazin.

Ai po ashtu ka thënë se në bazë të të dhënave që i ka lidhur me kriteret për liberalizim të vizave tregojnë se nuk ka abuzim të vizave nga shqiptarët.

Sipas tij, nëse një gjë e tillë do ishte Komisioni Evropian nuk do të thoshte se kriteret janë plotësuar.

“Të dhënat nuk e tregojnë që ka abuzim me vizat nga kosovarët, për shembull me ambasadën gjermane, përndryshe nuk do të ishim në favor të liberalizimit të vizave”, tha ndër të tjera emisari gjerman.

Madje, ai tha se nuk mendon që dialogu me Serbinë po e kushtëzon liberalizimin e vizave dhe mohoi që të ketë ndonjë kërkesë eksplicite nga Gjermania për Kosovën që së pari të arrihet një marrëveshje me Serbinë e pastaj të merret liberalizimi i vizave.

Ai tutje tha se nuk mund të komentojë nëse shtetet e tjera anëtare të BE-së kanë një kërkesë të tillë.

“Unë  nuk mund të komentoj për shtetet e tjera anëtare, po e dëgjoj këtë për herë të parë, mund të jetë që nuk jam i informuar për ndonjë gjë, mund të jetë që disa thashetheme në Kosovë mund të mos kenë bazë, por mendoj se kjo është qesharake dhe marrëzi. Ne duam që Kosova në mënyrë produktive dhe konstruktive të angazhohet në dialogun e normalizimit. Të ketë një qasje taktike të mirë dhe të bëjë diçka. Kjo duhet të shtyhet përsëri në një mënyrë produktive. Aty vërtetë na nevojiten rezultate”, tha Sarrazin.

Sa i përket hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, Sarrazin ka thënë se edhe Franca nuk është hezituese që të korrigjohet gabimi i mospranimit të tyre. Madje, Sarrazin ka shtuar se pozicioni i francezëve për procesin e pranimit është qartësisht pro.

“Ata janë të gatshëm që menjëherë të punojnë në organizimin e kësaj konference ndërqeveritare, për hapjen e negociatave për pranim dhe nuk është i lidhur me këtë konceptin e ri apo kornizën e ngritur nga Macron”, ka thënë ai.

“Unë mendoj se nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor si qytetarë të barabartë të Bashkimit Evropian. Asgjë tjetër nuk do të funksionojë, asgjë tjetër nuk do të jetë atraktive”, ka shtuar tutje ai.

Sarrazin ndër të tjera ka thënë edhe se dëshirojnë që edhe Kosova dhe vendet rreth saj të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, anëtarë të plotë, me të gjitha të drejtat e detyrimet dhe të jenë në nivel të barabartë.

Sipas Sarrazin, një dëshirë të njëjtë e kanë edhe në Bruksel.

Emisari gjerman ka thënë se procesi për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të fillojë sapo të merret një vendim unanim në Këshillin e Evropës.

“Jemi në një moment ku secili është duke bërë më të mirën që të binden miqtë tanë në Bullgari që të mos e bllokojnë procesin. Po bëjmë çfarë është e mundur të bëhet. Por, nuk mund të premtoj për gjëra të cilat lidhen me koalicionin qeveritar bullgar. Kush jam unë të përzihem në këto gjera”, ka thënë Sarrazin. /Kallxo.com/