Nga: Romeo Gurakuqi

Fundi i Luftës së Parë Botërore ka qenë një kohë dramatike për Shqipërinë, për shkak të largimit nga skena gjeopolitike evropiane të shtetit të saj protektor, të Perandorisë Austro-Hungareze. Për Shqipërinë u krijuan dy vakume të menjëhershme: së pari, ai i brendshmi, institucional, për pjesën më të madhe të territorit, që për gati tri vite u administrua nga austriakët, italianët dhe francezët; së dyti, në bisedimet e paqes, Shqipëria nuk do të kishte më një zë të kualifikuar dhe besnik, pro saj, brenda fuqive të mëdha vendimmarrëse.


Italia, e rreshtuar përkrah vendeve fituese të Antantës, për një numër arsyesh nuk mundej dhe nuk do ta luante dot në mënyrë të qëndrueshme, serioze dhe të vërtetë, një rol të tillë pro Shqipërisë, çështjes së saj kombëtare. Mirëpo, dhënia e së drejtës së kontrollit ushtarak italian mbi Shqipërinë nga ana e Këshillit të Lartë të Antantës në momentin e avancimit të ushtrive të Antantës në Ballkan, do t’u mundësojë shqiptarëve një lloj mbrojtjeje, do të shmangë, në një masë të madhe, përsëritjen e skenave pushtuese të Serbisë dhe Greqisë në vendin tonë dhe do t’u mundësojë forcave nacionaliste të fillojnë procesin e ripërtëritjes së shtetit, institucioneve, restaurimit të legalitetit të paraluftës dhe dërgimit të përfaqësisë diplomatike në Konferencën e Paqes në Paris.

Lexo po ashtu nga Romeo Gurakuqi:
- Traktati i Fshehtë i Vlorës!
- Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i ShBA-së
- Nëntori si kohë e reflektimit dhe e korrigjimit të historisë

Kujtoj se pas Luftës së Parë Botërore, përvoja e palavdishme ehlikjamiste dhe esadiste mbeti veç një kujtim i hidhur i një kohe të shkuar, ndërkohë që tre vitet e administrimit të Austro-Hungarisë në dy të tretat e Shqipërisë, të Italisë dhe Francës në Jug të vendit, autonomia administrative e kulturore që gëzuan shqiptarët nën këto kontrolle, kishte krijuar gjurmët e veta në strukturimin e nacionalizmit dhe restaurimin e administratës publike shqiptare. Edhe pse vitet e ardhshme do të jenë një sfidë e vërtetë në aspektin shtetformues për elitën nacionaliste, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, bashkësia nacionale që do të duhej të drejtohej nga kjo udhëheqësi, pati një ftillim të ndryshëm në aspektin e vetëdijes mbi përkatësinë dhe në pranimin më të madh të parimeve mbi të cilat do të duhej të rithemelohej marrëdhënia ndërshqiptare.

Nacionalizmi tanimë, në mënyrë të qartë, po mbështetej gjithnjë e më shumë mbi parimet e elitës së kulturës së lartë, ishujve të të vetëdijshëm mbi lirinë arbnore dhe përkatësinë e vendit në Adriatik. Vetë esadistët, të mbetur tanimë pa liderin e tyre (i cili u pengua të hynte në Shqipëri prej italianëve, të vendosur tanimë në pozita të forta kundër tij dhe më pas u ekzekutua nga Avni Rustemi në Paris), aplikuan transformizëm, përshtatje me rrethanat e reja dhe në ndarjen e re politike brenda vendit; u pozicionuan përkrah forcave konservatore të bejlerëve të ish-perandorisë, duke u përpjekur të gjejnë gradualisht liderin e tyre në figurën e Ahmet Bej Zogut, i cili starton, fillimisht në prapaskenë dhe më pas hapur, udhën e ndërtimit të një legaliteti të ri institucional mbi kreun e shtetit dhe formën e regjimit, që përmbyste kornizat e kongreseve nacionale të Durrësit (dhjetor 1918) dhe të Lushnjës (janar 1920), për të ngritur një të ri, rreth personit të tij (nga dhjetori i vitit 1924 me restaurimin e pushtetit të tij personal, fillimisht me ndihmën e Serbisë dhe më pas të Italisë).

Përndryshe, elita e evropianizueme e kulturës së lartë, diaspora nacionaliste, rrethet e nacionalizmit purist, albanianist dhe shekullarë, katolike dhe myslimane të Veriut, elita kosovare, ata të Shqipërisë qendrore të përqendruar në Elbasan përreth figurës më me autoritet në Shqipëri, Aqif Pashë Biçakçiut, nacionalistët e Toskërisë, në vitet 1918- 1924, megjithëse në minorancë për shkak të nivelit të shoqërisë shqiptare, punuan me vendosmëri për ripërtëritjen e Shqipërisë mbi kornizat e nëntorit 1912, Principatës së Shqipërisë së vitit 1914, mishëruar në linjën ringritëse të dy kongreseve të pas luftës, me një shpresë dhe mision për rikthimin e legalitetit të mirëfilltë me mbretin Wilhelm von Wied, ose pasardhësit e tij në krye të shtetit, si garantë të përforcimit të një shteti dhe nacioni të ripërtërirë evropian në kufijtë më të mundshëm etnikë.

Ky ka qenë i gjithë thelbi ballafaqimeve politike në vitet 1920-1924, fundi i së cilës ishte një humbje për elitën demokratike evropianiste dhe mbisundim i forcave konservatore, edhe të esadistëve të transformuar, ndërkohë që vetë Esadi ishte larguar fizikisht nga skena.

Rendi kushtetues

Ngjarjet e fillimit të vitit 1924, që kulmuan me Revolucionin e Qershorit, kryengritjen e qershorit, përmbysjen e qeverisë legjitime, u nxitën edhe nga përpjekja e qëllimshme e Ahmet Zogut për të kultivuar perceptimin se Shqipëria kishte nevojë për një udhëheqës të fortë, autoritar, në mënyrë që të siguronte stabilitetin dhe ruajtjen e rendit. Zhvillimet e vitit 1924 shuan përfundimisht çdo perspektivë për rikthimin e princ Wiedit; çështja e legjitimitetit të tij u harrua gradualisht, ndërsa forcat konservatore filluan të hartonin plane për konsolidimin dhe përjetësimin e pushtetit të Ahmet Zogut. Problemi i vendosjes së një rendi kushtetues dhe i përcaktimit të formës së regjimit mbeti i pazgjidhur gjatë gjithë kësaj periudhe, çka i krijoi Zogut hapësirë për të vepruar njëanshëm pas dhjetorit 1924. Pas Kundërrevolucionit të Dhjetorit 1924, rikthimit të legalitetit - riardhjes së njeriut të fortë në pushtet me shembjen e regjimit të mëparshëm të forcave demokratike - anëtarët e qeverisë së fundit shqiptare të formuar ligjërisht, së bashku me një prej regjentëve, u kthyen pothuajse menjëherë në kryeqytet. Me synimin për të ruajtur vazhdimësinë kushtetuese, ish-kryeministri Iliaz Bej Vrioni rifilloi përkohësisht ushtrimin e funksionit të tij, përpara se të paraqiste dorëheqjen. Më pas, regjenti ia besoi Ahmet Zogut detyrën e formimit të një kabineti të ri qeveritar. Shumica e anëtarëve të Asamblesë Kushtetuese u kthyen gjithashtu në Tiranë dhe, më 21 janar 1925, shpallën zyrtarisht vendosjen e regjimit republikan. Brenda një periudhe të shkurtër, republika, si formë e re qeverisjeje, ose si prishësja e dyfishtë e legalitetit të para qershorit 1924, u institucionalizua dhe Ahmet Zogu u zgjodh oresident i Republikës në rrethana që praktikisht e vendosën atë si autoritetin e vetëm dhe suprem në Shqipëri. Disa ditë më vonë, ai u rizgjodh zyrtarisht oresident për një mandat shtatëvjeçar. U hartua një Kushtetutë e re, e cila parashikonte një organ legjislativ dydhomësh, të përbërë nga një Senat me tetëmbëdhjetë anëtarë dhe një Dhomë Deputetësh me pesëdhjetë e shtatë deputetë. Kompetencat e oresidentit i ngjanin në thelb atyre të një republike presidenciale, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dallimin thelbësor se presidenti zgjidhej nga Parlamenti dhe jo nga vota popullore. Kushtetuta parashikonte gjithashtu një kabinet ministror të emëruar nga presidenti, por politikisht përgjegjës përpara Dhomës së Deputetëve.

Për rrjedhojë, në qoftë se në qershor 1924 kemi një qeveri të ardhur në pushtet në mënyrë jo legjitime, me rrugë të armatosur, që gjithsesi ruajti kuadrin institucional të përcaktuar në Kongresin e Lushnjës, në dhjetor 1924 kemi rikthimin formal, jo thelbësor, jo vendimmarrës, të një qeverie legjitime të nxjerrë nga pushteti me dhunë, që shërbeu si trampolinë për shkatërrimin e legalitetit kushtetues të Kongresit të Lushnjës (janar 1920) dhe krijimin e një forme të re regjimit në Shqipërinë që nuk dinte çfarë ishte Republikanizmi.

Eliminimi i kundërshtarëve

Pyetja që bëjmë është: Ku gjenden kufijtë kohore dhe kuptimorë të “rikthimit të legalitetit” në këtë rast?!

Pas kundërrevolucionit, ose të ashtuquajturit rikthim të legalitetit qeverisës, pas dhjetorit 1924 u vendos një kuadër i ri juridik, i cili qëndronte në kontrast të theksuar, si me marrëveshjet e brendshme, ashtu edhe me ato ndërkombëtare që lidhnin shtetin shqiptar. Gjetja e një ekuilibri të qëndrueshëm midis centralizmit dhe decentralizmit përbënte një nga sfidat më urgjente për politikën shqiptare të kohës. Megjithatë, konflikti më i thellë lidhej ngushtë me çështjen agrare, e cila synonte, të paktën pjesërisht, dobësimin e dominimit të pronarëve të mëdhenj tokësorë - figura që kishin përfituar prona të gjera si kompensim për rolin e tyre represiv në administrimin e popullsisë shqiptare.

Pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit” nga ana e qeverisë, ajo që pasoi ishte, në thelb, çmontimi përfundimtar i legalitetit të kreut të shtetit, i shoqëruar me një marrëveshje të heshtur me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve për neutralizimin e rrymës politike të njohur si “Drini” (e përbërë kryesisht nga kosovarë dhe nacionalistë të përkushtuar), si edhe me angazhimin për respektimin e disa mirëkuptimeve themelore me Italinë. Kjo fazë u pasua nga shtypja e dhunshme dhe e zgjatur e kundërshtarëve politikë, përfshirë vrasjen e disa figurave të spikatura të opozitës.

Kjo periudhë u karakterizua nga eliminimi i një sërë kundërshtarësh të rëndësishëm të regjimit të Ahmet Zogut, çka kontribuoi ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit të tij personal. Më 2 mars 1925, Luigj Gurakuqi, i konsideruar një nga etërit e kombit, një prej figurave më të shquara të nacionalizmit shqiptar dhe kritik i vendosur i regjimit, u vra në Bari, Itali, nga Baltion Stamolla, një ngjarje që siç rezulton nga dokumentet kroate dhe amerikane të zbuluara së fundmi, por edhe nga dokumentacioni i studiuar italian nga profesorët e Universitetit të Barit, ishte një ngjarje e kurdisur nga shërbimet shtetërore konsullore dhe të MPB të Tiranës, në rrugë jozyrtare. Brenda Shqipërisë, Zija Bej Dibra u vra nga xhandarmëria, ndërsa Bajram Curri, një kundërshtar i hershëm politik dhe ushtarak, gjeti vdekjen në fund të marsit në rrethana të diskutueshme. Hysni Curri vdiq në Vjenë gjatë pranverës së po atij viti, ndërsa Marka Gjoni, kapedani me ndikim i Mirditës, ndërroi jetë nga sëmundje e zemrës rreth së njëjtës kohë. Më vonë, në gusht 1925, një tjetër prijës mirditor i njohur, Zef Noci, u qëllua për vdekje.

Në vitin 1926, represioni u shtri edhe mbi bastionin kryesor të forcave përparimtare në Dukagjin, të cilin regjimi i Zogut e justifikoi me pretendime për infiltrime nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene. Shtypja e ushtruar ndaj popullsisë së Dukagjinit, që vijoi edhe gjatë vitit 1927, përbën një nga shfaqjet më brutale që zbulojnë thelbin e regjimit të vendosur në Shqipëri me ardhjen në pushtet të Zogut dhe “stabilitetin” e ndërtuar mbi dhunën e sundimit të tij diktatorial. Viktima e fundit në vargun e gjatë të hakmarrjeve të pamëshirshme ishte një nga figurat themeluese të kombit shqiptar, Hasan Prishtina, i cili u vra tetë vjet më vonë, më 13 gusht 1933, në Selanik, Greqi.

Në këtë mënyrë, trajektorja e nisur nga Esad Pasha për konsolidimin e kontrollit politik mbi Shqipërinë u vijua nga Ahmet Bej Zogu. Nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese, Ahmet Zogu fillimisht pretendoi se kishte rivendosur legalitetin qeverisës; më pas ai e çmontoi këtë rend, duke e kaluar vendin nga një monarki kushtetuese në një republikë presidenciale, ku Presidenti, si kreu i shtetit, ushtronte pushtet autoritar brenda kuadrit formal të një republike. Megjithatë, as ky transformim nuk i kënaqte plotësisht ambiciet e tij për pushtet të përhershëm. Në vitin 1928, ai e shndërroi republikën presidenciale në një monarki kushtetuese me kompetenca të zgjeruara, një strukturë qeverisjeje që nuk garantoi liritë themelore, nuk ndërtoi një parlament funksional, nuk mbrojti të drejtat e njeriut dhe nuk krijoi kushtet për një demokraci të vërtetë. Një mbretëri e re do të krijohej tanimë, së bashku me një legjitimitet të ri mbretëror në krye të shtetit, por ndryshe nga esadistët dhe fillesa politike e shumë prej personazheve politike mbështetëse, në rrjedhën e viteve ’30 të shekullit XX, Shqipëria do të formësohet si shtet me stabilitet, administratë të rregullt, program nacional arsimimi, me një sërë politikash modernizuese dhe perëndimizuese dhe me Turqinë të përjashtuar nga ndërhyrja në punët e brendshme të Shqipërisë. /Gazeta “Panorama”/