Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas mosvotimit të Qeverisë “Kurti 3” në seancën e së dielës, duke e quajtur ditën e sotme humbje për Kosovën dhe për komunitetin egjiptian.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka akuzuar deputetin e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, për veprim të motivuar nga “ego personale”.


“Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 është zhgënjyes për të gjithë ata që kanë besuar në bashkëpunim, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë. Qeveria Kurti 2 ka qenë një aleat i sinqertë i komuniteteve pakicë, duke dëshmuar me vepra se barazia nënkupton dyanshmëri”, ka shkruar ai.

Sipas Krasniqit, ndonëse emri i tij nuk ishte përfshirë në propozimin e kabinetit të ri, Veton Berisha refuzoi ta votojë Qeverinë edhe pse ishte propozuar një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian.

“I motivuar nga inati e ego personale, veç emrit tim ai refuzoi po ashtu edhe një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian, duke insistuar vetëm në vetën e tij. Kësisoj, ai tashmë po i rikthehet stilit të tij të njohur politik, atij të pazareve dhe shantazheve që e kemi mësuar që nga viti 2014.”

Krasniqi theksoi se komuniteti duhet të vendoset para partisë, dhe qytetari para politikës.

“Çdo kalkulim tjetër nuk na sjell as fuqi, as dinjitet – vetëm humbje. Në zgjedhjet e reja, komuniteti përmes votës do ta jap përgjigjen që ti e meriton, njëjtë siç të janë përgjigjur për mosvotimin e Qeverisë Kurti 1 me 3 shkurt 2020 dhe për rrëzimin e saj më 25 mars 2020.”

Ai përmbylli reagimin duke thënë se kjo situatë është një mësim për të gjithë ata që besojnë në përfaqësim të ndershëm dhe jo në pazare politike.