Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datë 17.12.2025 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Zvicra për në Republikën e Kosovës.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se i dyshuari ishte arrestuar nga autoritete Zvicerane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Kanosje”.
"Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre Zvicerane. I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në rajonin e Prizrenit për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore".
Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/













































