Edy Reja: Franca jo e pathyeshme, kemi strategjinë tonë, pse jo për fitoren

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja ka folur rreth shumë gjërave për takimin e fundit eliminator të Euro 2020 ndaj Francës.
Vendosja dhe taktika ndaj Francës: Nuk mendoj se situatat taktike janë vendimtare. Vendimtarë janë protagonistët dhe ajo që ata japin në fushë. Sa i përket Roshit, ai luan gjithmonë në krah, në majtë apo të djathtë. Për të nuk është gjë jo e natyrshme. Ne kemi shanset tona ndaj Francës dhe çdo lloj kundërshtari. Dimë se ku Franca do të na vendosë në vështirësi, por dimë dhe ku ne të vëmë në vështirësi Francën. Duhet të luajmë mirë në mbrojtje dhe të shfrytëzojmë rastet që na jepen përballë tyre.
Puna në kombëtare, më pak stresuese: Në radhë të parë doja t’i bëja komplimente trajnerit Deschamps, që është kampion bote dhe ka fituar çmim personal si trajneri më i mirë. Unë kam punuar me klubet, është një punë tjetër, duhet të kesh dhe një raport tjetër me mediet. Është diçka stresuese. Fola me Deschamps dhe më tha që është i kënaqur me punën e tij dhe më tha që nuk ka të njëjtin stres, si me Juventusin, që kërkohen rezultatet çdo javë. Më vjen keq që nuk erdha më parë, që të stërviteshim dhe të përballonim këtë grup që ishte i vështirë. Për të ardhmen premtoj që do të kemi rezultate më të mira, pasi kjo skuadër ka vend për përmirësim.
Besim edhe për fitoren: Ne hyjmë në fushën e lojës për të fituar dhe për të marrë maskimumin. Ndaj Andorrës gabuam dhe nga ana psikologjike. Përveç se humbëm shumë raste, pësuam dhe dy gola që ishin të evitueshëm. Elsi (Hysaj) tha se duhet të harrojmë këtë ndeshje, por duhet të nxjerrim mësim. Ne do të luajmë kundër Francës, e cila nuk do të mbyllet në mbrojtje dhe mund te kemi disa raste, duke dalë në lojën tonë. Shpresoj të shënojmë në këto raste.












































