Edhe në Tetovë nis vendosja e kamerave të sistemit "Safe City"

Kamera nga sistemi "Safe City" ditëve të fundit janë vendosur edhe përgjatë rrugëve dhe bulevardeve të Tetovës. Në Tetovë, deri më tani nuk ka pasur kamera të tilla në rrugët e qytetit, por vetëm në hyrje të qytetit nga ana e Shkupit.
Kamerat janë instaluar në bulevardet "Ilinden" dhe "Vidoe Smilevski-Bato", por qytetarët thonë se kanë vënë re kamera të tilla edhe në vende të tjera.
Tetovarët shpresojnë që "Safe City" do të kontribuojë në rregullimin e trafikut kaotik në qytet.
Kamerat nga sistemi "Safe City" janë instaluar tashmë në Shkup dhe Kumanovë, si dhe në autostradat "Nëna Terezë" dhe "Miqësia".
Periudha e testimit filloi më 1 dhjetor, ndërsa sistemi zyrtarisht do të fillojë të funksionojë me gjoba më 1 shkurt. MPB raportoi se mbi 110,000 shkelje u regjistruan në 24 orët e para të periudhës së testimit.
















































