"S’kam çka iu shtoj fjalëve të Muratit", Bekim Jashari shuan dilemat për president

Edhe gjashtë ditë pune kanë mbetur nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por skena politike vazhdon të karakterizohet nga mungesa e emrave konkretë dhe e një marrëveshjeje të qartë ndërmjet partive.
Deri më tani, kandidaturën e ka shpallur publikisht vetëm presidentja aktuale, Vjosa Osmani, megjithatë sipas zhvillimeve të fundit, ajo nuk duket se gëzon mbështetje të mjaftueshme nga deputetët për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.
Në opinionin publik janë përfolur edhe emra nga familja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, si figura potenciale për postin e presidentit.
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, deklaroi sot, pas një takimi me homologen e tij shqiptare, Elisa Spiropali, se ndërmjet partive politike ekziston konsensus vetëm për një kandidat që do të vinte nga familja Jashari.
Megjithatë, nga vetë familja Jashari kanë mohuar publikisht se kanë ambicie për këtë post.
Fillimisht, Murat Jashari, djali i Rifat Jashari, deklaroi për VOX Kosova se nuk ka interesim për t’u bërë president i Kosovës. Ai theksoi se ua ka bërë të qartë partive politike arsyet e refuzimit, duke shtuar se “mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”.
Më pas, edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, djali i Hamzë Jashari, përmes një lidhjeje telefonike në emisionin “Debat Plus”, konfirmoi të njëjtin qëndrim.
“Nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje nga ajo çfarë ka thënë vëllai im sot”, deklaroi ai.
Me afatin kushtetues që po afrohet, mbetet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë një konsensus për emrin e presidentit të ri, apo vendi do të përballet me një krizë të re institucionale.
- YouTube www.youtube.com



















































