Dyshime për keqpërdorim të votave në QKN Mitrovicë, prokurori: E kemi ndalë numërimin

E plotësuar: Procesi i numërimit të votave në Mitrovicë është ndalur sërish mbrëmjen e së hënës.
Vëzhguesit e PDK-së dhe ata të LDK-së në Qendrën Komunale të Numërimit e kanë bojkotuar procesin.
Pas dyshimeve për keqpërdorim të votave, në Qendrën e Numërimit kanë hyrë kryeprokurori i Mitrovicës, Njazi Rexha, dhe prokurori Shpëtim Peci.
Në një lidhje direkte për Debat Plus, prokurori Peci ka deklaruar se ndalja e numërimit është bërë për shkak të raportimeve nga numëruesit për parregullsi dhe nevojës për sqarime teknike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
“Ermal, jemi duke e prit ekipin kompetent prej KQZ-së që me i sçaru këto aspekte teknike të fletëvotimeve. Edhe në qendrën e numërimit jemi momentalisht, kështu që për rezultatet e mëvonshme të këtyre do të dëgjohemi më vonë,” ka thënë Peci.
I pyetur për arsyen e ndaljes së procesit, ai është shprehur:
“Sqarimet kur i jep KQZ-ja, e cila është kompetente për me i dhënë këto sqarime.”
Prokurori ka bërë të ditur se janë pranuar ankesa nga numëruesit në qendër, pas së cilave është njoftuar policia dhe KQZ-ja.
“Ka pas ankesa prej numëruesve në qendrën e numërimit, është njoftu policia, e kemi njoftu KQZ-në dhe tash po vijnë ekspertët përkatës me verifiku çështjen se ku është problemi. Derisa të verifikohet kjo pjesë, s’kemi çka me thënë më tepër,” ka shtuar ai.Dyshime për keqpërdorim të votave ndërpritet numërimi në QKN Mitrovicë e Jugut.

Ndalohet numërimi i votave në Mitrovicë, pamje brenda qendrës
Numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut është ndërprerë për shkak të parregullsive dhe nuk pritet të vazhdojë sonte.
Në këtë qendër e pranishme është edhe Prokuroria, e cila ka kërkuar që procesi i numërimi të votave të mos ndërpritet, por komisionarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit parazgjedhor nuk po pranojnë që të vazhdojë numërimi.
Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Mitrovicës, Ferdi Kadriu përmes një shkrimi në Facebook, tha se janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse.
Procesi i numërimit është ndërprerë nga Prokuroria dhe Hetuesia si dhe zyrtarët janë nxjerrë jashtë.
"Dje përfundoi procesi i votimit në qytetin tonë, ndërsa sot nisi rinumrimi i kutive të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Gjatë ndërrimit të paradites, janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse. Aktualisht është në detyrë ndërrimi i dytë, por procesi është ndërprerë nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Numëruesit janë larguar nga salla dhe puna është pezulluar".
"Kjo situatë është serioze dhe meriton vëmendjen e të gjithëve. Vullneti i qytetarëve është themeli i zgjedhjes së pushtetit lokal dhe ky vullnet nuk guxon të deformohet. Që nga fillimi i fushatës e deri tek numri i pazakontë i votuesve në balotazh, janë ngritur dyshime të forta të cilat sot po marrin formë konkrete", u shpreh Kadriu.
Deri më tash në qendrat komunale për numërim në Mitrovicë janë numëruar 25 nga gjithsej 105 vendvotime.
Faton Peci nga Vetëvendosja sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka dalë fitues përballë kandidatit nga PDK-ja, Arianit Tahiri, me epërsi prej 2315 votave.
Në momentin e ndërprerjes së numërimit dhe verifikimit të votave në QKN Mitrovicë, Faton Peci Lëvizja Vetëvendosje prin me 50.19% ose 4.186 vota, ndërsa Arian Tahiri Partia Demokratike e Kosovës – PDK ka marrë 49.81% ose 4.154 vota.
Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, ato të personave me aftësi të kufizuar dhe votimi jashtë Kosovës.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet finale për zgjedhjet në 18 komuna do të shpallen më së largu pas 10 ditësh, ndërsa certifikimi i rezultateve për kuvende komunale do të bëhet pasi të kenë përfunduar të gjitha shqyrtimet e ankesave në PZAP dhe që mund të përfundojnë eventualisht edhe në Gjykatën Supreme.



















































