Drenori porosit Kuçin: "Fitilat e llamës ruaji për miqtë e tu hajna"

Kandidati për deputet në listën e Vetëvedosjes, Xhavit Drenori, ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të PDK-së, Hajredin Kuçit se ”Drenasit duhet me ia rritë fitilat e llamës”.
Drenori, përmes një postimi në Facebook, i ka thënë Kuçit se edhe ‘fitilat e llamës’ janë vjedhur në këtë qytet, për çka thotë se e kishte njoftuar personalisht.
"Në Drenas po vidhej pasuria e qytetarëve dhe organet e drejtësisë nuk po guxonin të vepronin.", ka shkruar Drenori.
Ai i ka thënë Kuçit se gjatë kohës sa ishte ministër i Drejtësisë nuk është marrë asnjëherë me hallet e qytetarëve të Drenasit, duke nisur prej vjedhjeve që u janë bërë para syve.
Postimi i plotë i Drenorit:"Reagim rreth fjalimit të Hajredin Kuçit, i cili dje në Drenas kërkoj që “Drenasi duhet me ja rritë fitilat llambës”. Hajrë, edhe “fitilat e llambës” janë vjedhë në Drenas; nuk kemi më; e ti ishe i njoftuar personalisht nga unë që në vitin 2015. Ju pata kërkuar takim, sepse kishim hall. Në Drenas po vidhej pasuria e qytetarëve dhe organet e drejtësisë nuk po guxonin të vepronin. Ti (po te drejtohem me Hajrë dhe Ti meqë dikur ishim bashkë në të njëjten parti), drejtoje pikërisht këtë dikaster qeveritar. Hallin e shumicës se qytetarëve të Drenasit se ata po vidhen në sy të shtetit, se ata janë lënë anash çdo mundësie të barabartë, si në punësim, subvencion komunal, e të mirë tjetër për të cilën paguajnë taksa në mënyrë të vazhdueshme, Ti as qe e more parasysh në kohen sa drejtoje Ministrinë e Drejtësisë. Fort miqësisht, si bashkpartiak, pata kërkuar të të takoja dhe të pakten të qanim hallin e shumicës se qytetarëve për hajnitë që po u bëheshin në mënyre sistematike nga njerëzit që përkrahnit ju (PDK në qender), por Ty nuk tu bë vonë. Hajrë, qytetarët e Drenasit dalngadal po dalin në dritë dhe fitilat e territ nuk u duhen më. Fitilat e llambes ruaji për miqtë e Tu hajna që nesër kur sistemi i drejtësisë do të funksionoj si duhet, do ju duhen, sepse ata dihet se ku e kanë vendin (nuk e di nëse atje ka dritë të mjaftueshme?!). Për mua personalisht mbetesh zyrtari që i ke bërë më së shumti dëm ngritjes dhe forcimit të institucioneve shtetërore (me vetëdije apo i shtyrë nga Shefi/Shefat). Prandaj fort miqësisht po të drejtohem: distancohu nga hajnitë që në sytë e Ty dhe institucioneve të drejtësisë ndodhen sa e mbajë nën përgjegjësi menagjeriale këtë dikaster, ndoshta të rrokë ndonje amnesti si bashkpunues në procese gjyqësore, përndryshe është turp të kërkosh votë në Drenas, sidomos Ti. PS.: se harrova! Me hajnitë që i bënë shokët e Tu dhe Ti i mbullove, PDK-në na e ke gërrdidtë edhe në Drenas e Drenicë. Tash, e vetmja alternative na ka mbete VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Drenori. /Telegrafi/
Postimit të tij, Drenori i ka bashkangjitur edhe e-mailat që ka këmbeyr me Hajredin Kuçin, derisa ky i fundit ishte ministër i Drejtësisë dhe kallzimet penale dhe denoncimet në polici rreth rasteve korruptive në Drenas.


















































