Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike

E plotësuar: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të katërt.
Seanca, e cila u hap të hënën, u ndërpre menjëherë pasi kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se kandidatura mbetet e njëjtë – Albulena Haxhiu.
Ai shtoi se, duke qenë se partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, nevojitet kohë shtesë për konsultime të brendshme dhe ndërpartiake.
“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike...Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë... Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, tha Konjufca.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën e sotme dhe u vendos që seanca të vazhdojë të mërkurën në orën 10:00.
Nis seanca e Kuvendit
Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë për herë të katërt që nga thirrja e saj nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 15 prill.
Seanca e parë, e mbajtur më 15 prill dhe e vazhduar më 17 prill, u ndërpre që në pikën e parë të rendit të ditës, për shkak të dështimit për të miratuar Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. Kjo ndodhi si pasojë e mospajtimeve procedurale ndërmjet partive politike.
Pas tejkalimit të këtyre mospajtimeve, deputetët miratuan njëzëri raportin e komisionit gjatë vazhdimit të tretë të seancës, më 19 prill.
Gjatë kësaj seance u betuan edhe deputetët e rinj.
Megjithatë, edhe kjo seancë u ndërpre, këtë herë në pikën e dytë të rendit të ditës, ku pritej të zgjidhej kryetari i Kuvendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit./Telegrafi/





















































