LAJMI I FUNDIT:

Dr. Fatime Berisha Imeri: Sfidat dhe suksesi i një gruaje në karrierë

Dr. Fatime Berisha Imeri: Sfidat dhe suksesi i një gruaje në karrierë

Për dr. Fatime Berisha Imerin, pa druajtje mund të thuhet se i ka buzëqeshur fati në fatkeqësi. Këtu e 20 vjet më parë, ajo u largua nga Kosova, por, u vendos në Zvicër, një shtet i realizimit të çdo ëndrre. Megjithatë, rrugëtimi ishte i mundimshëm dhe i gjatë

Me një përkushtim dhe pasion entuziast për profesionin që ka zgjedhur, kjo eksperte shumëdimensionale, prej vitesh ofron shërbime me standarde të larta konkurruese.

E specializuar në disa drejtime mjekësore dhe bashkëpronare e disa laboratorëve dhe poliklinikave në Zvicër, Dr. Fatime Berisha Imeri, ka krijuar udhën e investimit të saj në këtë fushë duke i dhënë shumë rëndësi sidomos cilësisë së shërbimeve. Dhe nuk është kursyer për t’i ndjekur të gjitha shtigjet që do të rrisnin atë profesionalisht.


Frymëzimin e kërkon dhe e gjen duke kapërcyer përtej vetes në ndjekje të natyrës, takimit me njerëz dhe komunikimit me botën. Ndaj është kaq reale, kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e suksesshme prania e saj në të gjitha dimensionet.

Për profilin e kësaj eksperte shëndetësore të afirmuar, keni rastin ta mësoni nga intervista që zhvilluam me të.

Çdo i ri, madje qysh në fëmijëri ëndërron për profesionin e ardhshëm jetësor. A mund të thuhet se ky ishte përcaktimi juaj dhe se e keni realizuar!

Gjithmonë kam pasur dëshirë për të ndihmuar njerëzit në një mënyrë apo tjetrën. Mjekësia ma ka mundësuar këtë dëshirë. Mirëpo, ëndrra ime në fëmijëri ka qenë të fluturoj, të bëhem pilote. Mjerisht që në Kosovë nuk kemi pasur një shkollë të tillë në kohën kur unë kam qenë nxënëse dhe studente. Atë dëshirë e kam plotësuar më vonë dhe tash sa vite jam pilote vetëm për hobi. Provimi teorik për pilot hyn në grupin e dhjetë provimeve më të vështira që kam pasur dhe kam respekt shumë të madh për pilotët profesionalë.

Siç dihet, në shkencë ka vend për të gjithë ata që i rreken asaj, por atë vend duhet merituar dhe fituar me shumë djersë, mund e sakrificë. A ishte kështu edhe me ju?

Është e vërtetë që kam punuar pa lodhje, me vite të tëra për të mbërri këtu ku jam sot dhe punoj edhe tash pa lodhje. Pikënisja e suksesit dhe karrierës është të kesh guximin të synosh diçka që don, pastaj vijnë puna dhe shumë sakrifica. Aspekti i fundit por shumë i rëndësishëm është, të mos dorëzohesh para sfidave!

Biografia juaj mjekësore është shumë e larmishme. Përmendni drejtimet për të cilat jeni shkolluar me fokus të veçantë, ato ku ndiheni më kompetente?

Kam studiuar mjekësinë në Prishtinë, kurse në Cyrih mikrobiologjinë, administrimin e biznesit, kam doktoruar në mikrobiologji molekulare dhe jam specializuar në kimi klinike, hematologji, imunologji dhe mikrobiologji me diagnostikë molekulare. Ndihem më kompetente kur i aplikoj të gjitha këto lëmi për të dhënë një mendim mjekësor profesional.

Tashmë mund të thuhet se jeni stabilizuar në Zvicër. Sa ndjeheni e vlerësuar nga mjedisi dhe pacientët e shumtë?

Ndihem jashtëzakonisht e vlerësuar nga rrethi, kolegët dhe pacientët. Respekti është i dyanshëm. Kam respekt të madh dhe mirëkuptim për të gjithë.

A ka paragjykime nga pacientët në Zvicër për një mjeke nga një vend tjetër? Sa jeni e kënaqur me integrimin në këtë vend dhe trajtimin nga ana e kolegëve tuaj?

Jam shumë e respektuar nga të gjithë kolegët dhe nga pacientët. Nuk ka qenë e lehtë të integrohem, mirëpo me punë arrihet edhe respekti.

Ju drejtoni një numër te konsiderueshëm të laboratorëve dhe poliklinikave shëndetësore. Sigurisht se pajisjet janë të sofistikuara, por edhe mendja e njeriut është aftësuar për t’i deshifruar.

Një pjesë të madhe të kohës së punës mundohem ta kaloj në laboratorët në Cyrih (lg1.ch, walkin.ch) dhe Basel (medibact.ch, dropinlab.ch) ku analizoj dhe interpretoj rezultate të qindra pacientëve në ditë. Si drejtoreshë mjekësore dhe shefe e ekzekutivit në këta laboratorë dhe në filialet e tyre me gjithsej gati 100 punëtorë, unë jam përgjegjëse për çdo rezultat i cili del nga ato. Për të deshifruar, po flas për rezultatet e prodhuara nga aparatet në laborator, është ajo dituria nga studimi i lëmive që i ceka më lartë. Nuk e di a do të kisha aftësi nëse nuk do t`i kisha studiuar të gjitha ato që i kam studiuar.
Përveç punës profesionale, gjithnjë e më shumë kohë më kushton edhe pjesa administrative e menaxhimit të laboratorëve dhe poliklinikave.

Kontributi juaj shtrihet në shumë fusha. Si po ia dilni kësaj trysnie obligimesh?

Unë jam në zyrë deri vonë në mbrëmje dhe vazhdoj punën edhe kur kthehem në shtëpi. Shpesh punoj edhe gjatë vikendit. Thirrjeve nga spitalet, mjekët dhe pacientët gjithmonë iu përgjigjem edhe nëse është shumë vonë apo shumë herët, festë, apo vikend. Sa iu përket tri poliklinikave që tashmë operojnë, unë jam në stafin e menaxhmentit dhe në borde të drejtorëve. Në dy poliklinikat e reja (Sanamea Cyrih dhe Sanamea Basel) që do të fillojnë së shpejti, jam kryetare e bordit të drejtorëve. Pra, tash do të bëhen gjithsej pesë poliklinika, krahas dy laboratorëve dhe dy filialeve të tyre, të cilat janë në menaxhimin dhe bashkëpronësinë time.

A vlen për ju thënia ‘ruaju nga plotësimi i ëndrrave, sepse plotësimi i tyre, është fundi i ëndrrës?

Jo, aspak. Ëndrra mund të plotësohet, por, mos përfundo së ëndërruari; ky është çelësi i suksesit. Në momentin kur përfundojmë të ëndërrojmë, atëherë stagnojmë. Edhe tash, kur shumica mendojnë që e kam arritur kulmin e karrierës, unë kam shumë projekte, ide dhe vizione për të ardhmen.

Dihet se mjekët bëjnë Betimin e Hipokratit për të shërbyer me devotshmëri, përkushtim dhe humanizëm. Sa po përfillet ky ‘ligj i shenjtë’ që duhet të mbrohet me çdo kusht, si nga mjekët, por edhe nga institucionet e shtetit?

Shpresoj që po. Do të ishte e tmerrshme po të ishte e kundërta. Dhe nëse do të ndodhte kjo, atëherë është përgjegjësi morale dhe ligjore që mjekët dhe sidomos institucionet e shtetit të marrin guximin dhe të japin kontributin e tyre kundër asaj dukurie. Institucionet shtetërore kanë rol kyç, sepse ato e kanë pushtetin, fuqinë e vendimit dhe të veprimit.

Megjithatë Anton Çehovi thotë se e vërteta fiton, por kjo nuk është e vërtetë?

Çehovi ndoshta ka qenë pak pesimist, ndërsa unë jam shumë optimiste. E vërteta është relative. Perceptimi im i një situate është i vërtetë vetëm për mua. Ju, apo dikush tjetër mund ta perceptojë si një të vërtetë krejtësisht tjetër nga ajo e imja. Prandaj, është relative dhe mbase kjo e vërtetë relative nuk fiton çdo herë.

Çka ju ka ofruar ky profesion dhe a keni edhe momente dëshpërimi gjatë punës suaj?

Profesionet e mia më kanë ofruar mundësinë shumëdimensionale të shtjellimit dhe analizimit të një problemi shëndetësor. Në mjekësi, 60% të diagnozave i përcakton laboratori, kurse diagnoza e saktë është gjëja më e rëndësishme dhe pikënisja prej nga fillon trajtimi adekuat. Rrallëherë ka trajtim të suksesshëm pa diagnozë të saktë. Më bën të lumtur respekti i njerëzve dhe besueshmëria e tyre ndaj mendimit tim profesional. Momente dëshpërimi ka secili prej nesh dhe atë në çdo profesion, por ato janë të pakta.

Kohët e fundit, bota po përballet me pandeminë e shekullit. Sa vazhdon të çmohet kontributi i mikrobiologëve dhe stafit laboratorik në gjendjen në të cilën ndodhemi?

Padyshim që mikrobiologët dhe stafi i laboratorëve kanë qenë dhe janë në qendër të ndihmës dhe poashtu edhe në fokus të opinionit publik që nga fillimi i pandemisë së Covid-19. Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe, kur masat e pushtetit/politikës ndaj pandemisë varen edhe nga rezultatet e testeve tua. Jam shumë krenare me stafin e laboratorëve tona, që kanë punuar pa lodhje edhe gjatë vikendeve më tepër se tash e një vit.

Ju jeni bërë emër i njohur në Zvicër, por sigurisht nuk e keni harruar Kosovën. A keni ndonjë projekt konkret për vendlindjen ku përgatitja juaj do të hynte në shërbim të shëndetit të qytetarëve?

Shpresoj që në të ardhmen e afërt do të filloj me një projekt. Për momentin, jam e përqendruar në hapjen e dy poliklinikave që i ceka më lart, të cilat do të fillojnë me punë së shpejti.

Ju po jetoni kulmin e një karriere të shkëlqyer, keni mirënjohjen e të gjithëve, vlerësime jo vetëm në Zvicër. Cila është ambicia e radhës e dr. Imerit?

Pas hapjes së dy poliklinikave të lartpërmendura, besoj që do të vazhdojmë me trendin e tillë apo edhe të kalojmë në sektorë tjerë të mjekësisë. Kam edhe disa projekte personale të parealizuara ende. Por, së pari do të marr më shumë kohë për fluturim me aeroplan, të cilin për arsye të njohura e kam lënë pak anash kohëve të fundit.

Dhe, në fund, porosia Juaj. Cila është “receta e suksesit” në mjekësi?

Receta e suksesit në mjekësi është vazhdimësia në aftësimin profesional duke lexuar publikimet aktuale të ekspertëve dhe qasja ndaj pacientit; konsideroje dhe trajtoje çdo pacient ashtu siç do t`i trajtoje më të dashurit tuaj! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kalo në kategori