Donald Trump duket se po ka vështirësi në gjetjen e një hoteli ku do të kalonte dy ditë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, pasi që në korrik pritet të marrë pjesë në samitin e G20, që do të mbahet në Hamburg, shkruan e përditshmja "Hamburger Abendblatt".

Hoteli luksoz në Hamburg, "Four Seasons", ka refuzuar të akomodojë presidentin amerikan dhe delegacionin e tij gjatë qëndrimit dyditorë në këtë qytet, ku do të takohet me krerët e vendeve anëtare të G20-së, transmeton Telegrafi.


Gjatë vitit të kaluar në këtë hotel kishte qëndruar ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë takimit të OSCE në Hamburg, dhe kështu zgjedhja e parë më e mirë për delegacionin e presidentit të ri mendohej se do të ishte ky hotel.

"Four Seasons" ka refuzuar kërkesën e delegacionit të Donald Trumpit, dhe tani për tani nuk dihet se ku do të qëndrojë presidenti amerikan.

Zëdhënësja e hotelit nuk ka dashur të komentojë vendimin e as të flasë për arsyet e refuzimit të presidentit amerikan, raporton Der Spiegel.

2 74

Duke pasur parasysh faktin se të gjithë hotelet luksoze në atë kohë do të jenë pothuajse të zënë nga rezervimet që do të bëhen nga delegacionet e vendeve të ndryshme, spekulohet se delegacioni amerikan i kryesuar nga Trump do të qëndrojë në Berlin në hotelin "Adlon".

Policia e Hamburgut ka bërë të ditur se të gjithë të ftuarit do të qëndrojnë në "qendër të Hamburgut".

Për shumicën e pjesëmarrësve në samitin e G20-së, policia ka informacione se në cilët hotele do të qëndrojnë në Hamburg, por jo edhe për delegacionin amerikan për të cilët deri më tani "nuk kanë asnjë informacion". /Telegrafi/