"Domatja e Kosovës i ka kapur tregjet ndërkombëtare", Peci: Si rezultat i mbështetjes për fermerët dhe qasjes strategjike në treg

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se eksporti i domates për vitin 2021 kishte arritur 72 mijë euro, ndërsa në vitin 2024 ka arritur 11 milionë euro.
Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se domatja e Kosovës i ka kapur tregjet ndërkombëtare.
“Nga 72 mijë në 11 milionë euro, domatja e Kosovës kap tregjet ndërkombëtare. Në vitin 2021, eksporti i domates ishte vetëm 72 mijë euro. Në vitin 2024, ka arritur në 11 milionë euro”, ka shkruar Peci.
Tutje siç ka thënë ai kjo është një rritje e jashtëzakonshme që tregon suksesin e bujqësisë vendore dhe fuqinë e prodhimeve tona për të konkurruar jashtë vendit.
“Ndërsa në total, eksporti i perimeve është rritur me 66.9% krahasuar me periudhat e mëparshme të qeverisjes: 2017–2020: 24.7 milionë euro, 2021–2024: 41 milionë euro. Kjo është dëshmi që mbështetja për fermerët, investimet në infrastrukturë, serat moderne dhe qasja strategjike në tregjet e jashtme po japin rezultate reale. Kosova nuk është vetëm konsumatore, është prodhuese dhe eksportuese”, ka shkruar Peci në Facebook. /Telegrafi/



















































