DnV: Mangësi serioze në numërimin e votave, kërkohet rinumërim i plotë në gjithë vendin

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i vetëm 2 për qind të vendvotimeve për votat preferenciale të kandidatëve dëshmojnë për mangësi serioze në procesin e numërimit, të cilat, sipas tyre, cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.
DnV thekson se, ndonëse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave për kandidatët është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor.
Sipas këtij misioni vëzhgues, konstatimi i dallimeve të konsiderueshme në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar vetëm në një mostër prej 2 për qind të vendvotimeve, është indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të jenë pasojë e gabimeve të izoluara njerëzore.
Përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10 për qind të vendvotimeve në nivel vendi dhe rinumërimin e 100 për qind të vendvotimeve në 10 komuna – Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug – të cilat përbëjnë rreth 36 për qind të vendvotimeve në Kosovë, DnV vlerëson se kjo masë është e pamjaftueshme.
Sipas DnV-së, rinumërimi i vetëm një të tretës së vendvotimeve mund të prodhojë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve të tjera, duke e zvarritur edhe më tej procesin zgjedhor.
Në këtë kontekst, DnV rekomandon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin, me qëllim të sigurimit të kredibilitetit të procesit dhe rikthimit të besimit të publikut në rezultatet zgjedhore.
Po ashtu, organizata kërkon nga organet e drejtësisë që të nisin hetimet për të gjitha rastet ku ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit.
“Qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”, thekson DnV./Telegrafi.




















































