Nicolas Maduro Guerra, djali i presidentit të kapur të Venezuelës, Nicolas Maduro, bëri thirrje për bashkim brenda pushtetit dhe deklaroi se ekzekutivi po ndjek një “plan” që, siç tha ai, babai i tij e kishte miratuar para se Shtetet e Bashkuara ta arrestonin.

“Të gjitha gjërat që po ndodhin, gjithçka që sot po bëjmë si qeveri ishte plan i Nicolas Maduros… Ne po ndjekim udhëzimet e tij”, tha ai gjatë një takimi politik.


Ai tha se babai i tij “vendosi kursin” dhe ishte “gati për gjithçka”, dhe përmendi tre instrumente që sipas tij bëjnë pjesë në atë plan: Plani i atdheut, Plani i shtatë transformimeve dhe Plani i negociatave, raportojnë mediat.

“Nëse më ndodh diçka mua, kjo është rruga. Ja Plani i atdheut. Ja Plani i shtatë transformimeve. Ja Plani i negociatave”, tha ai, duke i atribuuar këto udhëzime instruksioneve të mëparshme të babait të tij.

Ai shtoi se pesë pikat që Maduro “i miratoi në dhjetor” janë ato mbi të cilat ata po punojnë sot dhe se prosperiteti i ardhshëm i vendit do të jetë rezultat i këtij plani.

Maduro Guerra e prezantoi thirrjen për bashkim si një sinjal të vazhdimësisë së pushtetit pas arrestimit të Maduros dhe mbështeti hapur Delcy Rodriguezin, të cilën e quajti “motra jonë e madhe” dhe e përshkroi si në krye të presidencës së përkohshme së vendit, së bashku me një “ekip kolektiv të udhëheqjes politike në nivel të lartë”.

Në përfundim, ai dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë “Atdheu është në duar të mira”.

Për më tepër, ai shprehu edhe mbështetjen “të pakushtëzuar” ndaj Rodrigues gjatë hapjes së Asamblesë Kombëtare, ndërsa pritet konfirmimi i emërtimit të saj në parlament.

Ndryshe, Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, u kapën dhe u sollën në SHBA, ku pritet të gjykohen në bazë të një aktakuze për narko-terrorizëm. /Telegrafi/