Disa zona të Gjakovës do mbesin pa ujë të enjten

KRU “Gjakova” njofton konsumatorët se, në kuadër të punimeve që po zhvillohen sipas projektit në rrugën Tranzite për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.
Pas vendosjes së shumicës së pjesëve lidhëse, punimet kanë hyrë në fazën kur është e domosdoshme instalimi i dy pjesëve fazonike për kyçjen dhe degëzimin e gypit Ø 800 mm, në drejtim të Gjakova 2 dhe degëzimit për qendrën e qytetit.
Ky intervenim kërkon ndalje totale të rrjedhës së ujit në këtë segment të rrjetit, me qëllim realizimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.
Ndërprerja e furnizimit me ujë është planifikuar për datën 18 dhjetor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri në 12:00.
Si pasojë, pa furnizim me ujë do të mbesin zona e rrugës Tranzite, qendra e qytetit, Blloku i Ri, Oriza, Brekoci, Moglica dhe Firza.
KRU “Gjakova” falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtyre punimeve, të cilat synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë në qytet. /Telegrafi/












































