LAJMI I FUNDIT:

Dikotomia e të kundërtave në parqet kombëtare

Dikotomia e të kundërtave në parqet kombëtare

Dr. Zeqir Veselaj
Ligjërues i Edukimit mjedisor

Shoqëria kosovare gjatë historisë ka qenë shumë e lidhur me konceptin e pyjeve. Pyjet janë parë në tri dimensione funksionale për njerëzit. Funksioni i parë është ai energjetik dhe infrastrukturor, përkatësisht i prerjes së drunjve për ngrohje e gatim, ndërtim të shtëpive, urave etj. Funksioni i dytë ka qenë ai bujqësor: kullotja e bagëtisë, shfrytëzimi i produkteve jodrunore si bimët ushqyese, bimët mjekësore, kërpudhat etj. Funksioni i tretë i pyjeve është ai luftarak që lidhet me betejat, lëvizjet dhe koncentimet ushtarake, strehimi i popullsisë civile etj.

Koncepti i parqeve kombëtare (në tekstin e mëtejmë PK) është futur në përdorim në fund të viteve të 80-ta. Shpallja e PK “Sharri” me 1986 promovoi funksionin mbrojtës të ekosistemeve dhe atë rekreativ nëpërmjet Brezovicës, Prevallës, qenit të Sharrit, djathit të Sharrit etj. Koncepti i mbrojtjes dhe rekreacionit filloi ngadalë, por sigurt t`i bëjë konkurrencë prerjes së pyjeve si dy të kundërta për të marrë terren.


Mbrojtja në letër nuk mjafton

Zakonisht nuk merrem me emra individësh në shkrimet e mia. Por, ky rast bën përjashtim për problemin e trajtuar. Emrin Liburn Aliu e kam dëgjuar nga koha aktivitetit të tij politik, nga vuajtjet e tij dhe familjes në shërbim të lirisë. Personalisht e kam njohur në kohën kur zgjedhjet e kishin bërë deputet dhe e kishin vendosur në krye të Komisionit për Mjedis, Bujqësi e Pylltari. Ky komision kishte fjalën kryesore në aprovimin e dy ligjeve për PK. Kam qenë i involvuar ngushtë sidmomos në procesin e shpalljes së PK “Bjeshkët e Nemuna” prej vitit 2000 dhe atë në kapacitete të ndryshme: drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, këshilltar mjedisor i ministrit, drejtor i REC-ut dhe profesor. Ndoshta kishte ardhur momentumi, por jam i bindur se pa punën e palodhshme të Liburnit në atë kohë: në njërën anë takime në terren me banorët, shoqërinë civile, bizneset, mediat etj., dhe në anën tjetër koordinimin me partitë parlamentare, ligji vështirë se do të kalonte. Atëbotë Liburni i takonte një partie të re opozitare, me numra solid në Kuvend. Për këto arsye, i jam gëzuar emërimit të tij në krye të Ministrisë së Mjedisit, me shpresën se do ta kultivojë më tutje për lindjen e së cilës ka kontribuar.

Por, jo fatkeqësisht! Dy vitet e mandatit treguan se i njëjti, si ministër ka harruar PK dhe vlerat e jashtëzakonshme që ato përfaqësojnë për shtetin. Argumenti më i mirë është se gjatë mandatit të tij nuk u aprovua ende Plani Hapësinor i PK “Bjeshkët e Nemuna”, i cili gati një dekadë po “flen” në sirtarët e ministrisë që ai udhëheq. Ndërkohë, ndërtimet e egra në ato zona po kryhen me ritme edhe më alarmante se në Brezovicë dhe Prevallë. Si edhe për një dekadë, dy vitet e fundit mungon përkrahja institucionale e buxhetore për dy Drejtoritë e PK. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës si institucion kryesor përgjegjës për zonat e mbrojtura, fatkeqësisht është kthyer në një regjistrues për mbrojtje ligjore të trungjeve, burimeve ujore, shpellave e zonave të ngjashme me vlera natyrore. Mendimet profesionale të Institutit me staf të vogël por shumë profesional, nuk dëgjohen e aq më pak të respektohen në vendimmarrjet e mëdha. As propozimet dhe propozimet e dy drejtorive që në terren punojnë me kapacitete minimale njerëzore e logjistike nuk merren parasysh. Prandaj edhe gjendja e natyrës dhe PK ka dergraduar kaq shumë. Vlerat natyrore dhe të biodiversitetit të PK po shihen si luks i klasës së pasur për vila e hotele në njërën anë si dhe “zhurma” të ambientalistëve për t`i mbrojtur ato në anën tjetër. Në fakt, ministria po dështon në përgjegjësitë kushtetuese për t`i mbrojtur këto vlera për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme. PK nuk nënkuptojnë vetëm arrestime e konfiskime për korrupsion, edhe pse kjo është shumë e rëndësishme në situatën ekzistuese që po kalon vendi.

Gjatë dekadave të punës për shpalljen e PK në Kosovë, rezistenca kryesore kundër shpalljes ka ndodhur nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe lobi i biznesit të drurit, dhe atë në dy forma. Forma e hapur bëhej nëpërmjet konfrontimeve në forume vendim-marrëse, ku natyra dhe mjedisi gjithmonë është trajtuar si çështje inferiore ndaj interesit për drurin si resurs ekonomik. Forma e fshehur bëhej nëpërmjet nxitjes së banorëve kundër shpalljes së PK, me dezinformata të tipit se pas shpalljes do t`u merren pronat e as dru për nevojat familjare nuk do të mund të preni. As pronat nuk iu morën e asnjëherë banorëve të zonës nuk iu ndalua e drejta e prerjes për nevoja familjare, sepse kjo nuk ndodh askund në botë, e as në Kosovë. Qëllimi i kundërshtimit ka qenë që zonat e propozuara të mos mbroheshin me ligjet e natyrës, sepse kështu eliminonin prerjet masive nga bizneset e sharrave nga të cila banorët fitonin më së paku.

Nëse projektligji për pyjet miratohet në përmbajtjen aktuale, ministrit Aliu definitivisht ia fshin kontributin e viteve 2009-‘12 në aprovimin e ligjeve për PK. Pas kësaj do të mbahet mend si ministri që riktheu formalisht sharrat në PK, në vend të përkrahjes me investime për banorët, promovimin e ekoturizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në zonat më pitoreske të Kosovës.

Mbrojtje kundër prerjes apo prerje për të mbrojtur

PK pa dyshim se janë vlera natyrore që prezantohen në ballinat për përshkrimin e secilit shtet modern në botë. Disa madje identifikohen me PK të e tyre, si p. sh. Arizona në SHBA njihet si State of Grand Canyon National Park. Që prej shpalljes së PK të parë në botë (Yellowstone, 1872), janë shpallur edhe rreth 6,000 të tilla, me miliona hektarë trritor për të ruajtur botën e egër dhe për ekoturizëm. Shumë prejt tyre janë listuar edhe si Zona të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si p. sh. “Plitvicet” në Kroaci. PK shpallen për dy qëllime themelore: mbrojtjen e ekosistemeve dhe rekreacion. Më konkretisht, IUCN e definon PK si “zonë natyrore e tokës/detit e caktuar për tri: mbrojtjen e integritetit ekologjik të ekosistemeve për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme; evitimin e eksploatimit ose zënies jomiqësore ndaj qëllimeve për caktimin e zonës; dhe ofrimin e mundësive për kënaqësi shpirtërore, edukim, rekreacion dhe vizita e që të gjitha duhet të jenë në harmoni me mjedisin dhe kulturën”. Ligji për mbrojtjen e natyrës e definon PK si “zonë e gjerë e tokës, me vlera të jashtëzakonshme e të shumëllojshme natyrore, që përfshin një ose më shumë ekosisteme natyrore të ruajtura ose pak të ndryshuara dhe kryesisht dedikohet për ruajtjen e vlerave burimore të natyrës” (neni 11 p. 1).

Ka dy koncepte bazë të konfliktit të ruajtjes së PK sipas legjislacionit kombëtar e ndërkombëtar me draftin e projektligjit aktual të pyjeve. E para lidhet me konceptin e mbrojtjes së ekosistemeve. Në të dy PK me territor prej 115,957 hektarësh, ekosisteme dominuese janë pyjet, me pak ekosisteme kullosash, livadhesh. Fokusi i mbrojtjes do të koncentrohet tek ekosistemet dominuese, pra pyjet e të cilat i ka cak projektligji për pyjet. Një ndër arsyet kryesore të shpalljes, ka qenë pikërisht shkatërrimi masiv pyjeve nga prerjet e luftës e sidomos të pasluftës. Qëllimi ishte të shpëtohej ajo çka mund të shpëtohej. E dyta, lidhet me eksploatimin jomiqësor në raport me qëllimet ligjore për mbrojtjen e PK. A mund të jetë prerja e pyjeve në PK eskploatim miqësor? Neni 48 p.1 i draftit të projektligjit thotë se pyjet do të shfrytëzohen “në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e natyrës dhe udhëzimet e IUCN”. Sipas nenit 3, pika 1.24 mbi përkufizimet, shfrytëzimi i pyjeve përfshinë “operacionet dhe punimet për prerjen e drunjëve, prodhimin, përpunimin, tërheqjen, transportimi i produkteve të drurit dhe shfrytëzimi i prodhimeve jodrunore nga pyjet”. A ka udhëzim të IUCN, që e parasheh diçka të tillë brenda PK?. Pika 2 e nenit 48 përfshin “prerjen e kujdesshme”, por nuk sqarohet se çka paraqet kjo prerje. Me “prerje të kujdesshme” pyjet e Kosovës janë në gjendjen më të rëndë që mbajnë mend gjeneratat e njerëzve të gjallë sot. Shkenca thotë se pyjet e ripërtrijnë veten, por jo si në rastin e Kosovës ku shkalla e prerjeve (kërkesa) është gjithmonë më e lartë se ajo e ripërtrirjes (oferta). Në nenin 7 të draftit të projektligjit trajtohen “pyjet për qëllime të veçanta”, e ku futen pyjet brenda PK me funksione sociale (rekreacion, pushim, turizëm, gjueti, edukim, shëndetësi dhe hulumtimet pyjore). E mira e këtij neni është se tregon që edhe hartuesit e dijnë se nuk mund të trajtohen pyjet brenda PK me dispozitat e legjislacionit pyjor.

Një argument konkret: në 79 nenet e draftit të projektligjit të pyjeve, 77 herë përmendet fjala kyçe “prerje”. Fjala mbrojtje përmendet kryesisht për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri, dëmtuesit, erozioni, ndotja etj. Në 177 nenet e Ligjit për mbrojtjen e natyrës, fjala kyçe “mbrojtje” përmendet rreth 600 herë ndërsa prerje vetëm 3 herë (e lidhur me prerjen sanitare). Si do të mund të harmonizohen këto dy ligje kur njëri e ka qëllim kryesor prerjen, ndërsa tjetri mbrojtjen. Si mund të hartohet plani menaxhuese për PK dhe plani menaxhues për pyjet brenda një zone të vetme nën këto dy qëllime sipas nenit 28? Cili plan do të jetë dominues për zbatim?

Imagjinojeni situatën hipotetike kur brenda PK, takohen roja e pyllit që ka lejuar prerjen për një person fizik ose juridik dhe roja e PK që duhet ta ndalojë atë prerje kurdo e kudo që e sheh brenda parkut. Cili nga dy rojat duhet ta kryejë punën e vet sipas ligjit që zbaton? Është e pakuptimtë që brenda PK të dëgjohen sharrat dhe të shihen kamionë me trupa drunjsh si në të kaluarën.

Idetë për zhbërjen e funksionit dhe qëllimeve të PK në Kosovë nuk janë të reja. Dhe vijnë po nga të njëjtat adresa si gjithmonë. Nëse ndodh që Agjencia e Pyjeve edhe formalisht të marrë të drejtën e sharrës në dy PK, atëherë ato e humbin qëllimin fundamental të shpalljes së tyre: mbrojtjen e ekosistemeve. Ndërtimet ilegale do të mbeten e keqe më e vogël në krahasim me degradimin e përvitshëm nëpërmjet “prerjeve të kujdesshme”. Drafti i projektligjit aktual për pyjet me këtë përmbajtje nuk është në frymën e mbrojtjes dhe menaxhimit të vlerave të natyrës siç pretendon dhe si i tillë duhet të tërhiqet e të ripunohet. Ose edhe më thjesht, mund të ndryshohet me një paragraf që “dispozitat e këtij ligji nuk vlejnë në territorin e parqeve kombëtare dhe zonave të mbrojtura”.

Përndryshe po u miratua me përmbajtjen aktuale projektligji për pyjet, atëher biodiversitetit, vlerave natyrore, turistike, rekreative, kulturore, autoktone dhe edukative të PK dhe zonave të mbrojtura natyrore të Kosovës lirisht mund t`u thuhet “Hasta la vista”! /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

Lajme
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

Lajme
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
Kalo në kategori