Diaspora voton, deri në ora 13:00 votuan 36,89 për qind e votuesve të regjistruar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në ora 13:00, sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike nga 19,187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues
Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
“Pra, procesi i votimit është duke zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosur në 18 shtete të ndryshme të botës... Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë”, tha ai.
Elezi sqaroi tutje se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve që janë dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. /Telegrafi/







































