Diamanti i Kosovës - Ylli i ri dardan që po rritet me hapa të mëdhenj në Gjermani: Së shpejti bëhem me skuadër të re, krenar që vesh fanellën e vendit tim

Diamant Lokaj është një prej talenteve më premtues të futbollit kosovar, i cili po ndërton karrierën e tij në Gjermani.
20-vjeçari, i lindur dhe rritur në këtë vend, ka kaluar nëpër akademitë më serioze të futbollit gjerman, fillimisht te grupmoshat e Freiburgut e më pas te Sandhausen, ku tashmë ka kaluar tri vite zhvillimi të rëndësishëm.
Lokaj luan si mesfushor qendror, një pozitë që kërkon përgjegjësi të madhe dhe inteligjencë taktike, cilësi që ai i ka shfaqur me përkushtim gjatë gjithë fazës së tij të formimit.
Fillimisht u bë pjesë e Sandhausen U19, ku u dallua për paraqitje fantastike dhe për kontributin me gola. Pas kalimit te skuadra seniore, ai më në fund ka shënuar debutimin në kategorinë e tretë gjermane, një hap i madh për një lojtar në kërkim të konsolidimit në futbollin profesionist.
Përtej suksesit në nivel klubesh, Lokaj është një emër i njohur edhe në përfaqësueset e moshave të Kosovës. Ai ka qenë pjesë e rregullt e Kombëtares nga U17, U19 dhe aktualisht është pjesë e U21, ku shpreson të luajë një rol kyç në fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian që nis në shtator. Madje, në të kaluarën ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te U19, dëshmi e karakterit dhe lidershipit që e shoqërojnë në çdo hap.
Në një intervistë për Telegrafin, Diamant Lokaj ka folur për përvojën në Gjermani, sfidat me Sandhausenin, Kombëtaren e Kosovës dhe ambiciet për të ardhmen.
Si e vlerëson sezonin që sapo përfundoi me Sandhausen? Lokaj: Sezoni ka qenë shumë i vështirë. Në fillim të sezonit kishim një trajner serb i cili nuk më dha mundësi të luaj, edhe pse bashkëlojtarët e mi më përgëzonin për performanca shumë të forta gjatë stërvitjeve. Pata fatin që pas ndërrimit të trajnerit, mu dha mundësia të tregoj veten edhe në fushë në disa ndeshje shumë të rëndësishme.
Ke bërë hapa para edhe me Kombëtaren e Kosovës, duke luajtur për U17, U19 dhe tani për U21. Si e shikon këtë rritje tënde me Kosovën? Lokaj: Për mua vazhdon të jetë një nder i madh ta vesh fanellën e Kombëtares së Kosovës. Kam pasur fatin të marr pjesë në gara kualifikuese për kampionatet evropiane me U17 dhe U19. Te U19 kemi pasur suksese të veçanta dhe kam arritur të emërohem kapiten i ekipit. Tash, pasi kalova te U21, kemi pasur disa ndeshje miqësore dhe synojmë ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian, të cilat fillojnë në shtator.
Në vijim të karrierës së tij, Diamant Lokaj do të jetë padyshim një emër për t’u ndjekur, qoftë në futbollin gjerman apo në përfaqësuesen dardane. Potenciali dhe përkushtimi që ka treguar deri tani janë premisa të qarta për një të ardhme të ndritur. /Telegrafi/























































