S'ka kuorum, ndërpritet seanca për presidentin

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë të enjten seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar ndërprerjen e seancës, duke theksuar se votimi do të vazhdojë në të ardhmen vetëm kur të plotësohen kushtet e nevojshme.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë gjatë seancës i bëra thirrje deputetëve të munguar që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk kemi 2/3 e deputetëve”, tha Haxhiu.
Për zgjedhjen e presidentit në votimin e parë kërkohen të paktën 80 vota, një kuorum që sot nuk u arrit.
Ndërprerja e seancës nënvizon vështirësitë për arritjen e konsensusit mes partive politike për kreun e shtetit dhe e afron vendin drejt zgjedhjeve të reja në rast të dështimit të procesit.
LVV ka paraqitur dy kandidatë për president, Glauk Konjufcën dhe Fatmirë Mulhaxha-Kollçaku, por nuk arriti që të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës./Telegrafi.




















































