Derbi i javës luhet në Strugë, Shkëndija në mision kundër Pelisterit

Pas emocioneve të mëdha në çerekfinalet e Kupës së Maqedonisë, ku pamë dy befasi të mëdha, nga nesër rikthehet kampionati me ndeshjet e javës së 20-të në Ligën e Parë të futbollit vendor, njofton Telegrafi.
Nga e premtja deri të hënën do të zhvillohen të gjitha përballjet e kësaj xhiroje. Pa dyshim se vëmendja do të jetë te ekipet shqiptare, të cilat në këtë fazë të sezonit po luftojnë fuqishëm për objektivat e tyre, përveç Shkupit që duket i dorëzuar.
Derbi i javës luhet në Strugë, të shtunën nga ora 14:00, ku Struga Trim & Lum përballet me liderin Vardarin. Struganët kanë pasur një nisje të dobët të sezonit pranveror, duke grumbulluar vetëm një pikë në tre ndeshjet e para. Nëse duan të mbajnë gjallë qoftë edhe fijen e fundit të shpresës për titull, atëherë fitorja ndaj Vardarit është e domosdoshme. Nga ana tjetër, Vardari vjen i tronditur pas eliminimit nga Kupa, çka e bën këtë duel edhe më të zjarrtë dhe me peshë të madhe psikologjike.
Një tjetër përballje interesante zhvillohet në Shkup, ku Shkupi përballet me Rabotniçkin, dy ekipet që e kanë “okupuar” fundin e renditjes dhe janë shumë afër t quhen ekipet e Ligës së Dytë. Kjo ndeshje luhet në Arenën “Todor Proeski”, në termin jo të zakonshëm prej orës 12:00.
Ndërkohë, kampioni aktual Shkëndija të hënën në Tetovë pret Pelisterin. Kuqezinjtë synojnë të vazhdojnë serinë pa humbje dhe të mbeten fuqishëm në garë për titullin, duke mos lejuar asnjë hap fals në këtë fazë vendimtare të sezonit.
Dyshet e javës së 20-të:
27.02.2026 (E premte)
Kumanovë: Bashkimi – Brera (14:00)
28.02.2026 (E shtunë)
Shkup: Rabotniçki – Shkupi (12:00)
Strugë: Struga Trim & Lum – Vardari (14:00)
01.03.2026 (E diel)
Kavadar: Tikveshi – Sileksi (14:00)
Gostivar: Arsimi – Makedonija Gj.P (14:00)
02.03.2026 (E hënë)
Tetovë: Shkëndija – Pelisteri (14:00)
Java e 20-të pritet të japë sinjale të qarta për ecurinë e skuadrave në garën për titull, me Strugën dhe Shkëndijën që mbajnë mbi supe presionin më të madh në këtë fazë të kampionatit. /Telegrafi/




















































