Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor të pandehurin Z. R., shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, sipas nenit përkatës të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me një aksident me pasoja fatale të ndodhur në mars të vitit të kaluar në fshatin Skivjan të komunës së Gjakovës.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Driton Sadiku, i pandehuri është dënuar me dy (2) vite burgim efektiv, si dhe me dënim plotësues që përfshin heqjen e lejes së vozitjes të kategorive “B1/B/M/L/T” dhe ndalim për marrjen e një leje të re për periudhën prej dy vitesh. Ky ndalim do të hyjë në fuqi nga momenti kur aktgjykimi të marrë formën e prerë. Koha e kaluar në vuajtje të dënimit nuk llogaritet në afatin e dënimit plotësues.


Ngjarja për të cilën u shpall fajtor Z. R. ka ndodhur më 17 mars 2024, rreth orës 22:57 në fshatin Skivjan.

“I pandehuri akuzohet se “ me datën 17 mars 2024, rreth orës 22:57/h, në fshatin Skivjan, Komuna e Gjakovës, nga pakujdesia rrezikon sigurinë e trafikut publik dhe me këtë i shkakton vdekjen tani të ndjerit, B. D., në atë mënyrë që natën kritike derisa i pandehuri Z. R. ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Volvo V50”, me targa 07-...-.., me të arritur në vendin e lartcekur duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes si dhe kushteve e rrethanave në rrugë dhe pa u siguruar mirë hyn në tejkalim të automjetit “Audi Q5”, të cilën e drejtonte e dëmtuara, E. J., ku në përball kalim ishte I ndjeri B. D., duke drejtuar automjetin e tipit “VW Golf”, me targa 03-...-... dhe në pamundësi që t’I shmanget aksidentit, me pjesën e parë ballore të automjetit të tij e godet automjetin e të ndjerit në pjesën e parë dhe më pas nga inercioni i goditjes vetura e të pandehurit përplaset në pjesën e pasme të veturës së të dëmtuarës E. J., me ç’ rast përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy automjete, të nesërmen me datën 18 mars 2024, në QKUK në Prishtinë, ndërron jetë tani i ndjeri B. D., ndërsa lëndime trupore pëson edhe vet i pandehuri.”.

Gjykata e ka vlerësuar se veprimet e të pandehurit përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të trafikut dhe kanë rezultuar me pasoja tragjike, duke sjellë vendimin për dënim me burg dhe ndalim të drejtimit të automjetit.

Palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit në formë të shkruar.