Dëmtohen viewpoint-et në Kamenicë vetëm dy javë pas vendosjes

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se vetëm dy javë pas vendosjes në funksion të viewpoint-eve turistike, ato janë dëmtuar nga persona të papërgjegjshëm.
Sipas Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, dëmtimet janë shkaktuar përmes ngjyrosjes së këtyre hapësirave, duke cenuar investimet e realizuara në sektorin e turizmit.
“Vetëm pas dy javësh që janë vendosur në funksion viewpoint-et, persona të papërgjegjshëm i kanë dëmtuar ato me ngjyrë”, thuhet në njoftim.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë te organet kompetente.
“Ftojmë qytetarët që të jenë bashkëpunues dhe në rast dyshimi t’i paraqesin shqetësimet pranë organeve përkatëse”, theksohet më tej.
Po ashtu, nga komuna rikujtohet se ruajtja e investimeve publike, veçanërisht në fushën e turizmit, është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve. /Telegrafi/



















































