Dëmtimi i rrugës Gjilan-Ferizaj - çfarë thonë nga komuna?

Rruga magjistrale Gjilan-Ferizaj ka pësuar dëmtime të konsiderueshme, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në qarkullim.
Sipas pamjeve të publikuara në media, një pjesë e rrugës ka pësuar dëmtime të dukshme, që mund të krijojnë rrezik për shoferët dhe këmbësorët.
Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Gjilan, Ali Arifi, i cili ka sqaruar se ky projekt është në përkujdesje të Ministrisë së Infrastrukturës.

Arifi ka theksuar se financimi është siguruar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZh), dhe se Komuna e Gjilanit nuk ka qenë e përfshirë në realizimin e tij.
Ai ka shtuar se Komuna e Gjilanit nuk ka pasur asnjë rol në menaxhimin e kontratës për këtë projekt.
Drejtori tutje bën të ditur se qeverisja aktuale e ka gjetur këtë projekt në ekzekutim e sipër, projekt ky që sipas tij ka zgjatur 7-8 vite.
“Asfaltimi i rrugës është bërë para 1 viti mirëpo Komuna e Gjilanit nuk ka marrë pjesë në këtë projekt as në menaxhim të kontratës. Shpallja e procedurave tenderuese është para kësaj qeverie. Pra, qeveria aktuale Albin Kurti 2 e ka gjetur këtë projekt në ekzekutim e sipër, që ka zgjatur pothuajse 7-8 vite, prandaj nuk kam informacione mbi këtë projekt”, ka thënë Arifi për Telegrafin.
Ai theksoi se, si komunë, kanë paralajmëruar vazhdimisht Ministrinë për dëmtimet e kësaj rruge, dhe se përgjigja që kanë marrë ka qenë se janë duke ndërmarrë veprime për të adresuar situatën.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pati publikuar një video ku shihet se po e njëjta rrugë është asfaltuar para një viti.
Madje, janë publikuar edhe pamje ku shihet se Hyseni së bashku me ministrin e infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin, Hysen Durmishi patën inspektuar punimet përgjatë kësaj rruge.
Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë informacione lidhur me këtë rrugë dhe pse është dëmtuar. /Telegrafi/


















































