Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar mbrëmë se shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar, të vendosura pranë varrit të aktivistit Astrit Dehari, janë dëmtuar.

Lidhur me kt Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar raport rreth këtij rasti. Sipas njoftimit fillestar, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e para.


“Raportohet se është dëmtuar një varr. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë mbi motivet, autorët e mundshëm apo shkallën e dëmtimit, ndërsa ka bërë të ditur se hetimet janë në fazë të zhvillimit.

Ndërkaq LVV tha se pret nga organet kompetente që rasti të trajtohet me prioritet dhe të sqarohen rrethanat e dëmtimit.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në reagim. /Telegrafi/