Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, ka zhvilluar një takim zyrtar me një delegacion nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të kryesuar nga zëvendëskryesuesja Arjeta Sadiku.

Në përbërje të delegacionit ishin gjithashtu edhe kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave dhe anëtar i KGJK-së, Fahret Velija, anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ahmet Imami, si dhe përfaqësues nga Sekretariati i KGJK-së.


Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte të vlerësoheshin nga afër kushtet aktuale të punës në Gjykatën Themelore të Gjakovës, përfshirë kapacitetet njerëzore, infrastrukturore dhe administrative.

Vizita synonte të identifikonte sfidat me të cilat përballen gjyqtarët dhe stafi administrativ në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme, me qëllim që të ofrohet mbështetje konkrete për tejkalimin e tyre.

Po ashtu, u diskutua për mundësitë e përmirësimit të efikasitetit institucional dhe rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve gjyqësore për qytetarët, përmes reformave të brendshme, trajnimeve profesionale, përmirësimeve teknologjike dhe përforcimit të mekanizmave mbikëqyrës e vlerësues.

Tutje në këtë takim u diskutua edhe për nevojën për koordinim të ngushtë ndërinstitucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor të vendit.