Në një kohë kur historia shpesh i lë në hije zërat e heshtur, PhD. Dashnim Hebibi sjell një vepër monumentale që vendos në qendër figurën e gruas shqiptare jashtë atdheut. Me dy vëllimet “Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare”, autori ndërton një mozaik rrëfimesh autentike që flasin për qëndresë, identitet dhe krenari kombëtare

Ky projekt përbën një ndër hulumtimet më të thelluara në këtë fushë, me 186 intervista të realizuara në të gjitha kontinentet. Vëllimet ofrojnë një dritare të hapur drejt shpirtit të diasporës shqiptare, me rrëfime nga gra që veprojnë me guxim në arsim, mjekësi, kulturë, biznes dhe aktivizëm. Ato mbajnë me dinjitet çdo fije të identitetit që kanë marrë me vete. Çdo intervistë është një dëshmi e pathyeshmërisë dhe e përkushtimit për ruajtjen e gjuhës, kujtesës dhe krenarisë kombëtare në dhe të huaj.


Përmes kësaj vepre, Hebibi sjell një monument të gjallë kujtese, një pasqyrë të thellë të rolit jetik që luajnë gratë shqiptare në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar jashtë vendit. Vepra është një ftesë për brezat e rinj që të njohin, vlerësojnë dhe bartin me krenari trashëgiminë e tyre kulturore, duke gjetur frymëzim në rrugëtimin e grave që kanë ndërtuar ura mes dy botëve.

Në këtë intervistë, Dashnim Hebibi, poet, publicist, ambasador i paqes dhe doktor i shkencave politike,  ndan me lexuesin frymëzimin, sfidat dhe përgjegjësinë që ndjen përballë figurës së gruas shqiptare në diasporë.

Z. Hebibi, përmes dy vëllimeve kushtuar gruas shqiptare të diasporës, keni sjellë në dritë figura që kanë prekur skenat botërore, kanë mbështetur kauza kombëtare dhe kanë ruajtur gjuhën e trashëgiminë tonë në mërgatë. Çfarë ju shtyu të ndiqni këto gjurmë shpesh të padukshme dhe t’i ktheni në zëra që tashmë flasin me fuqinë e një arkivi të shpirtit kombëtar?

Intervistat, zakonisht, bëhen me personalitete të njohura nga fusha të ndryshme si arti, kultura, politika e të tjera, pa e pasur gjininë si kriter përcaktues. Si rezultat, më shpesh ka spikatur bota mashkullore.

Përmes përzgjedhjes së këtij grupi fokusi – pra, gruas shqiptare të mërguar jashtë atdheut, e cila, për të qenë personazh i një interviste të veçantë për këtë libër me dy vëllime, jo domosdoshmërisht ka qenë e njohur apo përfaqësuese e një fushe apo profesioni të caktuar, kam synuar të sjell një qasje ndryshe. Edhe pse në mesin e të intervistuarave ka gra që shquhen jo vetëm ndër shqiptarët, por edhe në nivel ndërkombëtar, fokusi im ka qenë tjetër.

Motivi im ishte pasqyrimi i një spektri të gjerë karakteresh të grave shqiptare të mërguara jashtë vendit, duke marrë parasysh që secila prej tyre ka një rrëfim mbresëlënës për të ndarë me lexuesin.

Në librat tuaj keni sjellë me shumë kujdes rrëfime personale të grave që dëshmojnë përkushtimin ndaj atdheut dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. A ndiheni si një zë i heshtur që dokumenton dhimbjen dhe krenarinë shqiptare kudo në botë?

Më kanë cilësuar edhe kështu, edhe pse, mendoj që nuk më takon mua ti vë vetes sime epitete si zëri i vetëm që lartëson figurën e pamohueshme të vajzës e gruas shqiptare, e cila, me gjithë sfidave të kohës e rrethanave të jetesës, ka dëshmuar se përfaqëson shtyllën e paluhatshme të familjes shqiptare.

Duke i lënë intervistat në formën origjinale, keni zgjedhur të ruani rrëfimin e secilës grua ashtu siç është. Çfarë përfaqëson për ju ky autenticitet i paprekur?

Origjinalitetin e rrëfimit të të intervistuarës. Përmes këtij kritere, kam dashur të pasqyroj edhe multikulturalitetin që përfaqëson sot gruaja shqiptare, e shpërndarë nëpër gjeografinë botërore.

A jeni ndjerë ndonjëherë i mbingarkuar emocionalisht gjatë përpunimit të këtyre tregimeve? Si e përballoni një dhimbje që, edhe pse nuk është e juaja, për një moment bëhet pjesë e shpirtit tuaj?

Në thelb, këto tregime nuk janë të përpunuara, përjashto aspektin gjuhësor, të cilin e ka bërë lektori e këtij libri. Unë njihem si tip emocional. Këtë e dinë më së miri miqtë e mi dhe njerëzit që më rrethojnë. Natyrisht që kam bashkëndjerë çdo rrëfim të natyrës prekëse të gruas shqiptare, sepse evoluimi i gruas shqiptare në hapësira të reja gjeografike dhe kultura të ndryshme, ka pasur sfidat e veta, të cilat, më së miri janë rrëfyer nga vet personazhet e këtij libri.

Gjuha e shpirtit e ka fjalën nënë”, është një thënie që tingëllon njëkohësisht personale dhe universale. Çfarë ju shtyu të thurni këtë metaforë që flet kaq thellë me kaq pak fjalë?

Kjo shprehje më ka ardhur spontanisht në gjendje emocionale, duke lexuar e rilexuar rrëfimet që kisha në duar për këtë libër. Për më tepër, unë kam humbur nënën time gjatë pandemisë së Covid-19 dhe ende e kam të freskët plagën e humbjes së saj. Ndikimi i fjalëve të nënës gjatë ciklit jetësor të një fëmije, e bën atë më njerëzor dhe më të sjellshëm në raport me gjininë femërore, në përgjithësi.

Keni shkruar se humbja e nënës është si humbja e “një syri që të ruan”. A është kjo dhimbje e thellë një nga shtysat që ju ka frymëzuar të shkruani për gruan shqiptare në gjithë madhështinë e saj?

Pikërisht figura e nënës sime, për të cilën kam shkruar edhe në këtë libër, më ka shërbyer si muzë dhe shtysë për përqendrimin tim ndaj gruas shqiptare të diasporës.

Duke e vendosur gruan në qendër si bartëse të identitetit dhe qëndresës, a synoni t’u jepni brezave të rinj një pasqyrë më të plotë dhe më të ndershme të rolit të saj në historinë tonë?

Kam pritje që lexuesi shqiptar, në përgjithësi, pa u kufizuar në gjininë mashkullore, të vetëdijesohet edhe më shumë për vlerën që përfaqëson gruaja shqiptare, jo vetëm në familje, por përgjithësisht në shoqëri.

Si e përjetoni ju këtë proces të thellë përshkrimi dhe përfaqësimi të gruas shqiptare? Sa ju kanë ndryshuar personalisht këto rrëfime - si burrë, si prind, si njeri?

T‘ua them të drejtën, mua personalisht, nuk është se më kanë ndryshuar rrëfimet e pasqyruara brenda këtij libri, sepse unë jam i brumosur si i tillë: i respektueshëm ndaj femrës, i ndjeshëm dhe tejet mbështetës. Por, shpresoj që lexuesi mashkull të gjejë ndryshimet brenda vetes pasi ti ketë lexuar të gjitha rrëfimet e sjella brenda këtyre dy vëllimeve të librit.

Termi "diasporë” merr një kuptim shumëdimensional - është edhe mërgim, edhe përballje, edhe kujtesë. Si e keni ndërtuar këtë qasje sociale dhe emocionale në përshkrimin e jetës jashtë atdheut?

Mashkulli shqiptar është larguar në periudha më të hershme nga familja për të siguruar jetesën, e jo rrallë edhe për t'iu shmangur dhunës së pushtuesit. Femra, si bashkëshorte e bijë, është bërë pjesë e diasporës për të bashkuar familjen dhe sfidat e jetës së re larg mëmëdheut kanë qenë më të vonshme për të. Andaj edhe ndikimi i saj pozitiv shpërfaqet brenda shumë rrëfimeve të sjella brenda këtij libri.

Çdo vepër e madhe lind nga një nxitje e brendshme. A ndjeni se librat tuaj po nxisin një ndryshim të prekshëm në diskursin publik mbi rolin e gruas shqiptare të diasporës? Çfarë e bën përjetimin nga promovimet në Zagreb dhe Zvicër kaq të veçantë e të paharrueshëm për ju?

Promovimi i këtij libri do të kishte peshën e vet në çdo shtet evropian apo amerikan ku ka komunitet shqiptar të përqendruar. Në Zagreb u bë promovimi për herë të parë falë mbështetjes së shoqatave shqiptare që veprojnë në Kroaci, me të cilat kam kohë që bashkëpunoj. Ky promovim që po mbahet këtu në Zvicër është më i rëndësishmi për mua, jo vetëm për faktin që unë jetoj këtu, por edhe ngaqë numri më i madh i grave të përfshira në këto dy vëllimet e para të librit, jetojnë pikërisht në Zvicër.

A e shihni këtë vëllim si një hap drejt një projekti më të gjerë – një dokumentar, ekspozitë apo nismë ndërkombëtare? Çfarë vizioni afatgjatë keni për këtë mision që duket se sapo ka nisur dhe ofron ende shumë për të thënë?

Përgjigjen më të mirë ndaj kësaj pyetjeje, në fakt, e ka dhënë redaktori dhe recensenti i këtij libri, z. Jeton Arifi. Ai e ka vlerësuar këtë projekt si një “libër të hapur”, vazhdimi i të cilit mund të bëhet nga cilido tjetër. Kjo sepse shpalosja e vlerave të gruas shqiptare në mërgatë nuk mund të përmbyllet vetëm me pasqyrimin e 187 personazheve që kam arritur t’i intervistoj deri më tani. Mua do të më gëzonte shumë nëse kjo punë do të vazhdohej nga çdo gazetar apo publicist shqiptar, e pse jo edhe nga të tjerë. Megjithëse jam duke punuar për pjesë të tjera të këtij projekti, natyrisht që nevojitet edhe një mbështetje financiare, qoftë edhe modeste, sepse sot shtypja e një libri nuk është shumë e kushtueshme. Ndërkohë, puna ime është një dhuratë - një përpjekje për të lënë gjurmë ndër breza. Ndoshta një ditë do t’i shërbejë dikujt si referencë, sepse, siç dihet, nuk jemi të përjetshëm në këtë botë fizike.

Shpreh mirënjohjen time të thellë për redaktorin, lektorin, sponsorizuesin si dhe redaktorin teknik, z. Berat Thaçi, për kontributin e tyre që ky libër të jetë sot në duart e lexuesve. Nuk mund të mos përmend edhe kontributin dhe përkrahjen e bashkëshortes sime, Naimes, vajzave tona Dea dhe Eda, djalit tonë Adit, si dhe vëllait tim më të vogël, Besnikut, të cilët më kanë frymëzuar të mos dorëzohem, edhe në këtë kohë të pakohë.

Z. Hebibi, Ismail Kadare ka thënë: “Gruaja është themeli i çdo shtëpie dhe shpirt i çdo kombi.” Si reflekton ky mendim thelbësor mesazhin dhe vizionin që ju dëshironi të përcillni për gruan shqiptare në diasporë përmes librit tuaj?

Jo vetëm Kadare, por çdo shkrimtar shqiptar apo i huaj, i cili ka shkruar mbi vlerën e pamohueshme të gruas, ka shërbyer si frymëzim për mua, të cilët, deri në një masë, kanë pasur ndikim edhe në formimin tim si njeri i letrave.

Ju faleminderit për këtë rrëfim të sinqertë dhe për një udhëtim shpirtëror që jo vetëm ndriçon figurën e gruas shqiptare të diasporës, por e shndërron atë në një monument të gjallë të kujtesës sonë kombëtare. Cili do të donit të ishte mesazhi i fundit që lexuesi të mbajë me vete nga kjo intervistë?

Ju falënderoj pafundësisht që na dhatë mundësinë. Agjencinë tuaj e lexoj që nga dita e parë dhe jam shumë i lumtur që bashkëpunoj ende edhe sot. Qysh në fillimet tuaja, kam dhënë disa shkrime senzacionale me personalitete të njohura shqiptare dhe ndërkombëtare.

Porosia ime e përgjithshme për bashkatdhetarët e mi është që t’i kushtojnë më shumë kohë leximit në përgjithësi, të ruajnë gjuhën dhe traditat tona, dhe kurrë të mos e harrojnë atdheun. Po ashtu, shtetet tona duhet të investojnë më shumë për mërgatën dhe veçanërisht për brezat e rinj, sepse gjenerata e parë dhe e dytë kanë dhënë shumë për atdheun, ndërsa ekziston rreziku që gjeneratat e reja të jenë ndryshe, nëse ne nuk kontribuojmë profesionalisht në fusha të ndryshme të jetës.

T’ju them të drejtën, nuk ka shenja të mira për të ardhmen. Kemi kërkuar që muzeu i diasporës të jetë në diasporë, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Kemi edhe disa projekte të tjera në proces, duke parë se mund të vijnë ditë më të vështira nëse nuk investojmë te brezi i ri.

Shteti zviceran na ka mundësuar ta ruajmë gjuhën përmes shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri” (LAPSH), dhe këtë për vite me radhë. Por, na duhet të jemi më të bashkuar dhe të bashkëpunojmë edhe më shumë me shtetin zviceran, në mënyrë që gjuha shqipe të jetë pjesë e sistemit arsimor zviceran. Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se ajo nuk do të harrohet kurrë.

Diaspora është lodhur nga spektaklet politike që vijnë nga atdheu gjatë fushatave zgjedhore. Ne duam rezultate konkrete. Fatmirësisht, kemi shumë intelektualë që edhe Zvicra i vlerëson, dhe duhet të ecim përpara me projekte konkrete e me ekspertë të fushave përkatëse.

E kam fjalën për leximin e librave, qoftë elektronikë apo të shtypur – dhe jo për konsum të lajmeve me përmbajtje nga kronika e zezë apo politika. Leximi ta hap mendjen dhe të ndihmon të evoluosh më shpejt si qenie shpirtërore. Dija, të cilën e fitojmë përmes leximit, na bën të ndihemi më të sigurt për të sotmen dhe të nesërmen. /Telegrafi/