Mesfushori 20-vjeçar i Dukagjinit, Dardan Morina, po përjeton sezonin e tij më të fortë, duke shpërthyer me gola, asistime dhe paraqitje të pjekura që ia kanë hapur dyert e Kombëtares së Kosovës U21. Me vetëbesim, punë të palodhur dhe ritmin në rritje të skuadrës, talenti i klinasve po konfirmohet si një nga emrat më të rëndësishëm të Superligën e Kosovës. Statistikat e tij flasin vetë: 3 gola, 2 asistime në 14 paraqitje këtë sezon – plus 3 ndeshje të luajtura me Kosovën U21.

Dardan Morina po shkëlqen në Superligën e Kosovës dhe ka fituar vëmendje të madhe falë formës së tij mbresëlënëse me fanellën e Dukagjinit.


Mesfushori 20-vjeçar po e shijon sezonin më të plotë në karrierën e tij të re, duke kontribuar me 3 gola, 2 asistime dhe duke qenë pjesë e pandashme e 14 ndeshjeve të ekipit nga Klina. Rritja e tij e vazhdueshme dhe ndikimi në lojë kanë bërë që Morina të shfaqet si një nga talentet më premtues të kampionatit.

Formën e mirë në klub, ai e ka transferuar edhe në arenën ndërkombëtare, ku tashmë ka debutuar dhe ka zhvilluar tri ndeshje me Kombëtaren e Kosovës U21.

I emocionuar dhe krenar për rrugëtimin e tij, Morina në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se puna e palodhur, besimi në aftësitë e tij dhe mbështetja në Dukagjin e kanë shtyrë drejt këtij niveli.

“Fillimisht, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Dukagjinit. Kemi pasur një fillim shumë të mirë, falë punës që kemi bërë, dhe kjo po shihet në çdo ndeshje”, ka thënë fillimisht Morina për Telegrafin.

“Gjithmonë kam besuar në aftësitë e mia, kam punuar shumë dhe e dija që një ditë kjo do të shpërblehej”.

Morina duke festuar golin e fitores ndaj Llapit

Morina thotë se grumbullimi me Kosovën ka qenë një ëndërr e kahershme dhe një motiv shtesë për t’u përmirësuar çdo ditë.

“Grumbullimi me Kombëtaren është një ndjenjë shumë e mirë, dhe besoj që çdo futbollist ëndërron të luajë një ditë për Kombëtaren, ashtu siç ëndërroja edhe unë. Ka qenë një motiv shtesë për të punuar më shumë dhe për të ngritur cilësitë e mia si lojtar”.

Morina me numër 17 te Kosova U21

“Me punën që po bëjmë, besoj se kemi dëshmuar që jemi një skuadër e fortë për çdo kundërshtar, dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të jemi sa më lart në tabelë”, përfundoi mesfushori 20-vjeçar.

Ndryshe, Morina po vlerësohet shumë nga njohësit e futbollit në Kosovës dhe në vitin 2026 mund ta bëjë hapin e madh në karrierë me një transferim jashtë Kosovës. /Telegrafi/

telegrafi sport app