Dalje e ulët në rajonin e Prishtinës deri në orën 13:00 - pjesëmarrja nën 20%

Procesi i votimit në Zgjedhjet Lokale 2025 po zhvillohet përgjithësisht normalisht, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Megjithatë, në disa komuna janë raportuar incidente të vogla, si raste të fotografimit të fletëvotimeve.
Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, pjesëmarrja në votime deri në orën 13:00 mbetet e ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Në kryeqytet, deri në këtë orë kanë votuar 18.58% e qytetarëve, që përkthehet në 41,304 votues nga 222,326 të regjistruar, raporton Telegrafi.
Në Fushë Kosovë, pjesëmarrja është 18.12%, apo 9,254 votues nga gjithsej 51,075 me të drejtë vote, ndërsa në Lipjan përqindja është 18.73% (12,425 votues nga 66,348).
Në Obiliq, dalja është pak më e lartë – 20.93%, që përfaqëson 5,482 qytetarë nga 26,188 të regjistruar.

Komuna e Drenasit vazhdon të ketë një pjesëmarrje më të ulët, me 17.84% ose 10,227 votues nga 57,342 që kanë të drejtë vote.
Në Podujevë, deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 17.12% e qytetarëve (14,841 nga 86,668), ndërsa pjesëmarrjen më të lartë në rajonin e Prishtinës e mban Graçanica, me 23.82%, që përfaqëson 6,029 votues nga 25,311 të regjistruar. /Telegrafi/















































