CNN publikoi të martën një raport ekskluziv, në të cilin zbuluan një video dhe fotografi arkivore të papublikuara më parë që tregojnë presidentin amerikan, Donald Trump në shoqërinë e financierit të turpëruar dhe abuzuesit seksual, Jeffrey Epstein.

Në raport u publikuan fotografi të Epsteinit në dasmën e Trumpit me Marla Maples në vitin 1993, që u mbajt në hotelin Plaza në New York.


Sipas CNN-it, një video nga një sfilatë e Victoria’s Secret e vitit 1999 në New York tregon Trumpin dhe Epsteinin duke qeshur dhe biseduar para fillimit të shfaqjes. Ky raport vjen në një kohë kur po rritet presioni dhe interesi i publikut për lidhjet e mëhershme të Trumpit me Epsteinin.

Një vendim i fundit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për të mos publikuar dokumentet e shumëpritura lidhur me hetimin kundër Epsteinit ka shkaktuar pakënaqësi edhe brenda lëvizjes së Trumpit "Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Madhe" (MAGA), ku shumëkush priste që do të zbuloheshin emrat e bashkëpunëtorëve të dyshuar të Epsteinit.

Kur CNN e pyeti Trumpin për fotografitë nga dasma, ai tha se “po bëni shaka”, dhe më pas e quajti disa herë median “lajme të rreme” përpara se të mbyllte telefonatën.

Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në qelinë e burgut në New York në gusht të vitit 2019, ndërsa po priste gjykimin për akuza për trafik seksual. Edhe pse vdekja e tij u shpall zyrtarisht si vetëvrasje, shumë teoricienë konspirativë e vënë këtë në dyshim për shkak të lidhjeve me figura të fuqishme dhe të njohura.

Një gjykatës federal i dha të martën Departamentit të Drejtësisë një afat prej shtatë ditësh për të paraqitur më shumë informacione se pse dëshmitë e jurisë së madhe në çështjen Epstein duhet të mbeten të mbyllura për publikun.

Ndërkohë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, njoftoi se do të ndërpresë më herët punën e Kongresit për pushimet e gushtit, duke bllokuar kështu përpjekjet e demokratëve për të votuar kërkesën për publikimin e dokumenteve hetimore të lidhura me Epsteinin. /Telegrafi/