ÇKA THA DOKTORI

Poezi nga: Raymond Carver
Përktheu: Fadil Bajraj
Ai tha se nuk duket mirë
tha se duket keq në të vërtetë shumë keq
tha se numërova tridhjetë e dy prej tyre në një mushkëri para
se të hiqja dorë nga numërimi i mëtejmë
i thashë më bëhet qejfi që nuk do të doja të di
më tepër se ç’po ngjet atje pastaj
më pyeti a je ti njeri religjioz a bie në gjunjë
në zabele dhe a ia lejon veten të kërkosh ndihmë
kur arrin te ndonjë ujëvarë
mjegulla të bie fytyrës dhe duarve
a ndalesh dhe kërkon mirëkuptim në ato çaste
i thashë jo ende ama e kam ndër mend t’ia filloj sot
tha përnjëmend më vjen keq tha
do të doja të kisha ndonjë lajm tjetër të të jepja
i thashë Amin ndërsa ai tha diçka tjetër
që nuk e kuptova dhe nuk dija se çfarë tjetër të bëja
dhe nuk doja që të ma përsëris prapë
ndërsa unë ta përtypja krejt atë
sall e shikova
për një dakik dhe ai ma ktheu shikimin kjo ndodhi atëherë
kur brofa në këmbë dhe i shtrëngova dorën njeriut që sapo më kishte dhënë
diçka që askush në këtë botë kurrë nuk më kishte dhënë
bile mund ta kem falënderuar për natyrën e tij aq bindëse
/Telegrafi/


















































