Chelsea raportohet se është gati ta mbështesë trajnerin e ri, Liam Rosenior, duke realizuar deri në tre përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Blutë” synojnë të forcohen në disa reparte, si një shenjë e qartë mbështetjeje për trajnerin e tyre, i cili këtë muaj zëvendësoi Enzo Marescan në stolin e Stamford Bridge.


Sipas një raporti nga The Telegraph, Chelsea dëshiron t’i japë Roseniorit mjetet e nevojshme për ta riformuar skuadrën sipas vizionit të tij.

Thuhet se klubi nga perëndimi i Londrës po i jep përparësi transferimit të një mbrojtësi qendror, diçka që ishte planifikuar edhe nën drejtimin e Marescas, por Chelsea humbi garën ndaj Real Madridit për nënshkrimin e Dean Huijsen verën e kaluar.

Chelsea besohet gjithashtu se po monitoron objektiva në mesfushë dhe në sulm në prag të afatit kalimtar veror, megjithatë bashkëpronarët Todd Boehly dhe Clearlake Capital janë të gatshëm të veprojnë edhe në tregun e dimrit, nëse paraqiten mundësitë e duhura.

Një nga lojtarët që Chelsea po e ndjek me vëmendje të veçantë është mbrojtësi shumë i vlerësuar i Rennes, Jeremy Jacquet.

Gazetari italian Fabrizio Romano raporton se dy klubet kanë zhvilluar bisedime gjatë 24 orëve të fundit.

Ndërsa Jacquet mbetet objektivi kryesor i Chelseat për përforcimin e mbrojtjes, Daily Mail shkruan se klubi ka përgatitur edhe një listë alternative në rast se nuk arrihet marrëveshje me Rennes këtë muaj.

Sipas raportit, Chelsea është gjithashtu admirues i Jacobo Ramon, 21 vjeç, i cili aktualisht luan për Como të drejtuar nga Cesc Fabregas në Serie A, si dhe i mbrojtësit të Bournemouth, Marcos Senesi, 28 vjeç, i cili mund të jetë i disponueshëm për një çmim të ulët për shkak se kontrata e tij skadon në verë./Telegrafi/

telegrafi sport app