Charli XCX ndez skenën e Glastonbury me performancë energjike dhe veshje provokuese

Charli XCX elektrizoi publikun në Glastonbury me një performancë të zjarrtë.
Ajo u shfaq me pantallona të shkurtë prej lëkure dhe një bluzë rrjetë, duke ndezur atmosferën me hite si “360”, “Speed Drive” dhe “Sympathy Is a Knife”.
Pavarësisht thashethemeve dhe shpresave të fansave për një paraqitje të përbashkët me Lorde – e cila u ngjit në një skenë tjetër një natë më parë – bashkëpunimi i shumëpritur nuk ndodhi, duke shkaktuar zhgënjim në rrjetet sociale, shkruan DailyMail.
Charli vazhdon të korrë sukses me albumin e saj të fundit “Brat”, i cili ka ngjitur majat e top-listave dhe i ka sjellë asaj një çmim ‘Grammy’.
Megjithatë, ajo shprehet se prioriteti i saj mbetet liria artistike dhe jo suksesi komercial, duke paralajmëruar një drejtim të ri për projektet e ardhshme.
Ndërkohë, Glastonbury 2025 po konsiderohet një nga edicionet më të paharrueshme, me artistë si The 1975, Neil Young, RAYE dhe Olivia Rodrigo që po mbushin skenat kryesore në një fundjavë të mbushur me muzikë, energji dhe surpriza. /Telegrafi/
































































