Ylli i Real Madridit, Jude Bellingham, ka pranuar se gjatë shtatë javëve të fundit ka vuajtur jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht nga lëndimi që e mbajti jashtë fushave. Mesfushori anglez tashmë është rikthyer në formë dhe ndihet shumë më mirë.

22-vjeçari u rikthye në aksion të dielën mbrëma në derbin ndaj Atletico Madrid, duke luajtur 22 minuta në fitoren 3-2.


Kjo ishte paraqitja e tij e parë që nga 1 shkurti, pasi kishte munguar në 10 ndeshje për shkak të një dëmtimi në kofshë. Pas ndeshjes, ai tregoi se periudha e rikuperimit ishte e vështirë edhe emocionalisht.

“Shumë e gjatë. Shtatë javë. Kam qenë i mërzitur për një kohë të gjatë, por tani jam i lumtur sepse jam kthyer të stërvitem me shokët e skuadrës”, deklaroi Bellingham për RMTV.

“Si në ndeshjet e tjera, skuadra po luan jashtëzakonisht mirë tani, po mbrojmë dhe po sulmojmë shumë mirë. Sidomos në dy ose tre ndeshjet e fundit, dhe kjo është arsyeja pse po fitojmë kaq shumë”, u shpreh Bellingham.

Ai vlerësoi edhe atmosferën në stadiumin Santiago Bernabeu.

“Atmosfera ishte e pabesueshme. Tifozët në këto net janë gjithmonë të jashtëzakonshëm. Kjo atmosferë na ndihmon shumë dhe rrit përkushtimin e ekipit, veçanërisht në derbi apo kundër skuadrave të mëdha”.

Bellingham pati fjalë të mëdha për bashkëlojtarët e tij, Federico Valverde dhe Vinicius Junior, të cilët ishin vendimtarë në këtë fitore.

“Janë të jashtëzakonshëm. Në momentet e vështira, këta të dy gjithmonë gjejnë mënyrën për të ngritur nivelin e tyre dhe për të ndihmuar ekipin. Kur kemi pasur shumë mungesa për shkak të dëmtimeve, ata kanë qenë gjithmonë aty. Fede është shembull i qëndrimit, ndërsa Vini tregon si të rikthehesh pas një periudhe të vështirë. Ajo që po bëjnë tani është e pabesueshme”.

Bellingham, së bashku me Valverde dhe Vinicius, kishte qenë në qendër të kritikave në fillim të vitit, madje u raportua se ishin të pakënaqur me trajnerin Xabi Alonso.

Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga vetë lojtarët. /Telegrafi/

telegrafi sport app