Carvajal i dërgon një paralajmërim Alexander-Arnoldit pas rikthimit të tij nga lëndimi

Legjenda e Real Madrid, Dani Carvajal, i ka dhënë një paralajmërim të qartë Trent Alexander-Arnoldit lidhur me ardhjen e anglezit para sezonit të ri.
Muajin e kaluar, pas javësh spekulimesh, u konfirmua se Alexander-Arnold kishte lënë klubin e fëmijërisë, Liverpool, për t’u bashkuar me Madridin para Kupës së Botës për Klub.
Që atëherë, mbrojtësi i djathtë ka bërë tre paraqitjet e para për ‘Los Blancos’.
Pas një nisjeje të vështirë kundër skuadrës arabe Al Hilal, 26-vjeçari ka dhënë paraqitje shumë më të mira kundër Pachuca dhe Salzburg.
Duke u afruar sezoni i ri, pritet gjerësisht që Alexander-Arnold të jetë zgjedhja e parë e trajnerit të ri Xabi Alonso në krahun e djathtë, duke zëvendësuar Carvajal, i cili është afër rikthimit pas një dëmtimi serioz në gju.
Duke folur së fundmi, spanjolli 33-vjeçar deklaroi se pas muajsh rikuperimi është ‘gati për të konkurruar’, duke i dhënë një paralajmërim të qartë Alexander-Arnold.
Carvajal pranoi se ishte ‘logjike’ që Madrid të sillte Alexander-Arnold.
“Në nivel profesional, është logjike. Në çdo ekip dhe në çdo pozicion vijnë lojtarë të rinj”.
“E marr si një sfidë personale, sepse më pëlqen të konkurroj. Kam sfida të rëndësishme përpara, dhe shpresoj që kjo konkurrencë, e shëndetshme, do ta bëjë ekipin shumë më të mirë”.
“Trent është përshtatur fenomenalisht, ka trajtuar të gjithë në mënyrë fantastike. Ka shumë besim tek Jude, por është shumë miqësor me të gjithë”.
“Kur kemi pasur pasdite të lirë, ka dalë për shëtitje, për darkë, dhe është një djalë shumë, shumë i mirë”, përfundoi ai./Telegrafi/
















































