LAJMI I FUNDIT:

Bushati: Sulmi terrorist i 24 shtatorit, këmbanë e fortë alarmi – në Shqipëri të ketë unitet politik për Kosovën

Bushati: Sulmi terrorist i 24 shtatorit, këmbanë e fortë alarmi – në Shqipëri të ketë unitet politik për Kosovën

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kërkuar unitet politik për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Ai ka shprehur kritika se si në Shqipëri ende politika nuk gjen gjuhë të përbashkët për ta miratuar një rezolutë për dënimin e këtij sulmi.

Bushati, ka thënë se bota demokratike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, me të drejtë ka dënuar sulmi terrorist të Hamasit të shtunën kundër Izraelit.


Por, tha se në spektrin politik të Shqipërisë nuk po arrihet një unitet edhe për ta dënuar sulmin ndaj Kosovës më 24 shtator.

“Bota u zgjua dje me imazhe të tmerrshme të sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit, të cilat me të drejtë u dënuan me ashpërsi nga e gjithë bota demokratike.

Edhe në Shqipëri, të gjithë krahët e politikës për pak minuta u bashkuan në mesazhet e tyre për dënimin e sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Mesazhet ishin thuajse të njëjta, në pajtim të plotë me praktikat e qëndrimeve të mbajtura nga Shqipëria për të tilla ngjarje.  Ndërkohë që kanë kaluar dy javë prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë, të njëjtët krahë të politikës nuk gjejnë ende gjuhën e përbashkët për miratimin e një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës dhe denoncimin me emër të inspiruesve dhe autorëve të sulmit, të cilët, i morën jetën në krye të detyrës policit Afrim Bunjaku”, ka shkruar Bushati në një postim në Facebook.

Bushati ka thënë se “s’mund të lejohet që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”.

Ai tha se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës më nuk është çështje politike, por është çështje serioze e sigurisë për rajoni dhe për të ardhmen evropiane.

“Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Evropë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një këmbanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Evropës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal”, ka shkruar Bushati.

Bushati ka thënë se politika në Shqipëri duhet të ngrihet në lartësinë e kërkesave të shoqërisë shqiptare dhe të miratojë njëzëri një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai ka thënë se rezoluta e dalë nga Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbështesë punën e gjitha institucioneve të Kosovës në funksionin e zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të dënojë sulmet dhe provokimet e inspiruara nga Serbia kundër Kosovës, dhe të kërkojë bashkëpunimin e Serbisë me Kosovën, duke nisur nga dorëzimi i autorëve të sulmit dhe pranimi i një hetimi ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, Shqipëria duhet t’i lehtësojë Kosovës paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare, ku Kosova nuk ka qasje, në lidhje me veprimtarinë e ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve të sulmit terrorist”, shprehet ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Postimi i plotë:

TË BASHKUAR PËR KOSOVËN 

Bota u zgjua dje me imazhe të tmerrshme të sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit, të cilat me të drejtë u dënuan me ashpërsi nga e gjithë bota demokratike.

Edhe në Shqipëri, të gjithë krahët e politikës për pak minuta u bashkuan në mesazhet e tyre për dënimin e sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Mesazhet ishin thuajse të njëjta, në pajtim të plotë me praktikat e qëndrimeve të mbajtura nga Shqipëria për të tilla ngjarje. Denoncohen me emër inspiruesit dhe autorët e sulmeve, sikundër shprehet solidariteti me familjarët e viktimave, popullin dhe shtetin e Izraelit. Padyshim roli i Shqipërisë në Lindje të Mesme është modest. Por qëndrimet politiko-diplomatike për këto ngjarje kanë një vlerë të pamohueshme në politikën e jashtme, pasi pasqyrojnë vlerat e popullit dhe vendit tonë. Për rrjedhojë, edhe renditjen përkrah aleatëve tanë të mëdhenj.

Ndërkohë që kanë kaluar dy javë prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë, të njëjtët krahë të politikës nuk gjejnë ende gjuhën e përbashkët për miratimin e një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës dhe denoncimin me emër të inspiruesve dhe autorëve të sulmit, të cilët, i morën jetën në krye të detyrës policit Afrim Bunjaku.

Në memorien time do të mbetet gjithnjë e pashlyer seanca e Kuvendit të Shqipërisë, e 22 korrikut 2010. Teksa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpallte në mënyrë solemne vendimin e saj për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, në Kuvendin e Shqipërisë u shfaq një ekran i madh, ku deputetët pa përjashtim ndoqën me emocion seancën maratonë të Gjykatës së Hagës. Nuk kishte ngjarje më të rëndësishme për kombin. Ndaj, seanca parlamentare e 22 korrikut 2010 ishte në lartësinë që kërkonte ndërgjegjja kombëtare. Politika shqiptare dëshmoi dinjitet. Nuk kishte kalendar, program apo agjendë parlamentare të planfikuar që mund ta konkurronte atë ngjarje historike. Simbolika e seancës parlamentare ishte e qartë: çështja kombëtare ka përparësi ndaj politikës të ditës.

13 vite më pas, sherret banale, gara me projekt-rezoluta dhe kërkesa për interpelancë, përçojnë mesazhin e papranueshëm se politika e vuvuzelave ka parakaluar çështjen kombëtare. Kjo nuk është në dinjitetin e politikës dhe as në nivelin e pritshmërisë së shoqërisë shqiptare. Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik. Kosova meriton të ketë vendin e saj të paprekshëm, pavarësisht rrethanave që prodhon politika e ditës. Nuk duhet të lejojmë që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës.

Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Europë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një këmbanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Europës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal.

Politika duhet të ngrihet në lartësinë e kërkesave të shoqërisë shqiptare dhe të miratojë njëzëri një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë ka plot burra e gra me dije dhe eksperiencë shtetërore që mund të hartojnë një dokument përbashkues që t’i qëndrojë stuhive të kohës.
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të dënojë sulmet dhe provokimet e inspiruara nga Serbia kundër Kosovës, dhe të kërkojë bashkëpunimin e Serbisë me Kosovën, duke nisur nga dorëzimi i autorëve të sulmit dhe pranimi i një hetimi ndërkombëtar.

Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria shqiptare duhet të angazhohen në një përpjekje të mirëfilltë diplomatike për miratimin e një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe emërimin e reporterëve të pavarur për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Duke pasur parasysh misionin dhe fushën e përgjegjësisë së Këshillit të Europës, praktikën e konsoliduar me trajtimin e rasteve të tilla, por edhe faktin që Rusia nuk është më pjesë e kësaj organizate pan-europiane në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, Shqipëria duhet të kanalizojë energjitë politiko-diplomatike në funksion të përmbushjes së këtij objektivi.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria duhet t’i lehtësojë Kosovës paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare, ku Kosova nuk ka qasje, në lidhje me veprimtarinë e ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve të sulmit terrorist.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të mbështesë punën e të gjitha institucioneve të Kosovës në funksion të zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës, e të nxisë bashkërendimin e ngushtë të institucioneve të zgjedhura të Kosovës me partnerët strategjikë: SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të riafirmojë angazhimin e palëkundur të vendit tonë si anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, në mbrojtjen dhe promovimin e arkitekturës së sigurisë rajonale, të mbështetur nga SHBA, NATO dhe BE, qysh prej rënies së perdes së hekurt, e cila bazohet në mosndryshimin e kufijve, bashkëjetesën ndëretnike, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut me fokus te pakicat, dhe pranimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë kontekst, partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen euro-atlantike.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të denoncojë politikën e revizionimit të historisë dhe glorifikimit të kriminelevë të luftës dhe akteve terroriste nga Serbia, si pengesë për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë Europiane të rajonit.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të përshëndesë angazhimin e aleatëve në NATO për shtimin e trupave të KFOR-it, si garanci për paprekshmërinë e perimetrit të sigurisë së Kosovës.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i bëjë thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së, katër prej të cilave anëtare të NATO-s, që të njohin pavarësinë e Kosovës si kontribut për besueshmërinë e BE-së si ndërmjetësuese; zbatimin e planeve europiane për rajonin; dhe në të njëjtën kohë, si mesazh ndaj Serbisë për të pranuar realitetin e pasluftës në ish Jugosllavi dhe për të ecur në drejtim të rrugës europiane.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i bëjë thirrje vendeve anëtare të NATO-s për të përfshirë sa më shpejt Kosovën në Programin e Partneritetit për Paqe; dhe vendeve anëtare të BE-së për të filluar shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim në BE. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Policia e Kosovës demanton mediat serbe

Policia e Kosovës demanton mediat serbe

Siguri
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Minimi i masave shkëmbore, të shtunën do të ndërpritet qarkullimi i veturave në udhëkryqin e Gjakovës në Klinë

Minimi i masave shkëmbore, të shtunën do të ndërpritet qarkullimi i veturave në udhëkryqin e Gjakovës në Klinë

Lajme
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori