Në një nga ditët tona të zymta, pra të zakonshme, na thonë se duhet të jemi të lumtur, sepse “Ai” po e realizon ëndrrën e vet, të Hirushes, po e merr kurorën, ndërkohë që opozita në formën e njerkës me dy vajzat e saj, po plas. E bëri tym dhe po ngulfatet në tymin e vet. Populli i ftuar me tupan me gjasë do të mungojë nga dasma e hirtë. Kjo është një gjendje që kërkon meditim të thellë.
E, shprehja “do të bëhet mirë” është “mantra” jonë për të hyrë në gjendje meditimi. Mos t’ju hutojë se janë disa fjalë. Është kod, më i komplikuar, i përshtatur për gjendjen tonë. Veç kështu mund të mbijetohet dhe të ruhet shëndeti mental i publikut. Parajsa nuk është pikturuar me ngjyrat e premtuara. Perënditë lokale po e hanë njëra-tjetrën, të gjallë, e populli po sheh televizor. Ose e klikon ngjarjen që zhvillohet jashtë jetës së tij. Edhe kur e ftojnë në ngjarje, populli e di se nuk e ftojnë për mirë. Është vetëm statist, në reklamat politike që xhirohen për të promovuar ndërrime që duhet të miratohen në Olimp. Aq i bën se cilin do ta shohë duke bërë qejf në ekran. Jeta e tij është para ekranit. Serial.
Pra, populli nuk përkrah ndryshime që nuk ndikojnë në përditshmërinë e tij. Është veç publik në arenë. Krejt bëhet për ta mbajtur si shikues. Se fati i të gjithëve varet nga gishti i (A)tij. Populli jeton vetëm se ai e mban ende gishtin përpjetë. Kështu thonë.
Ajo që u kuptua tashmë është se asnjë program politik, që nuk mund të përmblidhet në një barsoletë, nuk mundet të marrë vëmendjen e banorëve të parajsës tonë. Dikur barsoleta përdorej, sepse diktatorët nuk jepnin kohë për rrëfime të gjata, ndërsa tash nga mungesa e vëmendjes publike. Kamerat ikin tutje. Pastaj, barsoleta e ka një të mirë edhe kur është e keqe. Ti përgatitesh për të (buzë)qeshur sapo të thonë: E ke dëgjuar atë barsoletën….? Pra, e keni dëgjuar atë barsoletën, kur një hoxhë dhe një hajn….! Apo ishte një hoxhë dhe një politikan?
Jo, kjo barsoletë është e çoroditur. Nuk do ta tregoj fare. Ju qeshni lirisht, sepse një e qeshur, qoftë edhe kot, nuk të bën dëm, ndërkohë që një barsoletë joadekuate për parajsën dhe ferrin tonë, mundet të rrisë edhe më tepër vorbullën e hutimit që na ka përfshirë. Pastaj, ditët në parajsën tonë të vërtetë janë të njëjta, pa adrenalinë. E shikojmë jetën në ekran tek rrjedh si serial, dhe ditët na ngjajnë të hirta si ditët e burgut “Z”. Nuancat e të hirtës e bëjnë parajsën tonë një bukuri të hirtë. Thua nuk perëndon kurrë dielli i hirtë, prej llamarine, i varur në qiellin e shpresave, dhe kur megjithatë perëndon, ti me automatizëm e shlyen nga memoria, si një ditë kopje e së djeshmes. Çdo ngjarje e sotme sado duket dramatike e di se të ka ndodhur edhe më parë, veçse dhjetëra episode më herët. Ose më vonë. Ditë “copy paste”. I jeton ditët pastaj i bën “delete”. Ditët shndërrohen në numra dhe në tablo dixhitale që lidhen me njëra-tjetrën në nuancat e së hirtës.
Edhe kur fillon dita e re asgjë nuk ka filluar në fakt. Asgjë e re. Si në burgun “Z”, që po e marrim si metaforë të lirisë. Çdo ditë fillon me mediat e sundimtarit, që përhapin optimizëm të blerë lirë në tregun e lodrave për popujt në nevojë. Një ditë do të mund të ikni lirshëm nga parajsa, – thonë ata – vetëm se këto ditë pritet të vijë vlerësuesi kontinental dhe…liberalizimi është i sigurt. Kjo është ëndrra e të gjithë të burgosurve: të ikin. Kjo është ëndrra e re e lirisë: mundësia për të ikur. Kështu, edhe në burgun tonë metaforik, me emrin “Z” çdo ditë e lume fillonte me këngën e këngëtares së famshme, për të pasmet e saj dhe zërin lozonjar. Për të kënduar ajo nuk dinte, po kujt i bënte. Ajo veç po mundohej, përmes altoparlantëve në çdo qoshe, për të na argëtuar. Nuk bënte asgjë më shumë se politika. Për dallim nga parajsa jonë, ku nuk këndohet, por veç “dridhen”, në burgun “Z”, dita fillonte çdoherë me këngën e vyer. Fillonte me “do të bëhet më mirë”! Vazhdonte me “do të bëhet më mirë” dhe ashtu edhe përfundonte. E kjo përsëritej e përsëritej si në një fushatë paraelektorale.
Por, ju të dashur miq, mos lejoni t’ju ngatërrohet me vendin tonë kjo metafora e burgut. Ka dallime. Ne jemi në karantinë e jo në burg. Kënga është ajo që imponon shpresën. E shpresa, të dashur miq, është obligim zyrtar që populli ka ndaj përfaqësuesve të tij, të cilët obligohet për t’i rizgjedhur çdo katër vjet. Pra, karantina është ajo gjendje kur në burg bie, për shembull, tifoja dhe ata të prekurit izolohen. Nga karantina mund të dalësh vetëm me kontroll nga mjeku. Me vizë.
Populli, për dallim nga burgu “Z”, nuk po zgjohet nga gjumi me sevda. Me këngë po, por pa sevda. As në punë nuk po shkon me gëzim. Lëre fare anash që nuk ka atmosferë, por as punë nuk ka. Kënga e soc-realizmit të kujton një kohë kur të gjithë punonin, nejse, kur të gjithë bëheshin sikur punonin, dhe shteti bëhej sikur i paguante, por njerëzit e shanin tinëz mbretin dhe hanin tinëz bukën me sheqerin nga rezervat e përbashkëta. Kishte më shumë shije, – thonë. Fakti që të kujtohen si ditë të mira shpreh krejt dramatikën e qytetarit tonë. A mund të ketë nostalgji për diktaturën, për robërinë?
E dini se të parat që shprishen, shformohen në burg janë ëndrrat? Nuk janë ëndrra, janë objektiv: Të dalësh, të ikësh prej aty. A nuk mund të quhet sukses një vizion që kulmin e premtimit të vet e ka: shpejt do të mund të ikni nga këtu? “Do të bëhet mirë, o popull! Nga parajsa nuk mund të ikim, o njerëz! Ç’do të bënin perënditë lokalë, pa ne. Do të bëhet mirë”. Veç përsëriteni në vete shumë e shumë, pafundësisht herë, derisa të bëhet njësoj…!
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsh-bashkëshortja e Aldos: E gatshme të futem në Big Brother, mund të ndodh edhe ribashkimi
Gazetarja nga ‘CBS News Chicago’ i flet shqip Dua Lipës: Motra ime shqiptare, jam shumë krenare për ty
Trump fali themeluesin e Silk Road, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për shitje droge
Mashkull dhe grua në SHBA - çka do të thotë kjo për komunitetin LGBTQ+
Bëhen viralet videot e Laertit, i del organi gjential në transmetim live në Big Brother VIP Albania nga pakujdesia
Iraku legalizon pedofilinë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Gjesti habit me deklaratën: Nëse kam aq shumë fansa, atëherë po ia fus gjumit dhe po e fitoj Big Brother-in
Pas Lojërave Olimpike, hakohen edhe faqet e Bloomberg në Facebook dhe Instagram - publikohet fotografia e Gjestit
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Real Madridi po ia rrëmben Barcelonës top shënjestrën nga dora
Trump deklaroi se Spanja është pjesë e BRICS, reagon qeveria spanjolle
Përfundon dueli i nëntë golave: Nga turpërimi, kalon në ngadhënjim - çfarë Barcelone!