Kur flet për veten, Burbuqe Ballazhi - apo Buqja, siç e thërrasin me dashuri, e bën me qetësi, por çdo fjali e saj mban brenda një jetë të tërë përpjekjeje, dhimbjeje, durimi dhe mbi të gjitha, një forcë të jashtëzakonshme që nuk mund ta fshehë as fjalimi i saj i thjeshtë

Paraliza cerebrale është një çrregullim neurologjik që ndikon në lëvizje, tonin muskulor dhe koordinimin. Ajo zakonisht shfaqet në fëmijëri të hershme dhe shpesh shoqërohet me vështirësi në ecje, qëndrueshmëri dhe lëvizje të qëllimshme. Por, pas kësaj diagnoze, qëndrojnë histori njerëzore të mbushura me guxim dhe përpjekje të jashtëzakonshme.


E lindur para 51 vjetësh në Spitalin e Shkupit, por me fëmijërinë e kaluar në Han të Elezit, Buqja u përball që në hapat e parë të jetës me sfidën e paralizës cerebrale. “Këmbët i kam pasur të hapura. Së pari në Prishtinë më kanë vendosur rripa, e më vonë në Shkup më operuan në të dy këmbët. Ishte një operacion i suksesshëm dhe më dha lehtësim në lëvizje,” rrëfen ajo.

Fëmijëria nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, pranë saj gjithmonë ka qenë nëna, burim i dashurisë dhe mbështetjes së palëkundur. Shkollën e nisi në Han të Elezit, por pas zhvendosjes së familjes në Prishtinë, vazhdoi mësimet deri në klasën e pestë. Suksesi i saj shkollor ishte shumë i mirë, por ajo u përball me vështirësi të mëdha, mungesë qasjeje në objektin shkollor, mungesë ndihme dhe paragjykime të hapura nga bashkëmoshatarët. “Ka pasur edhe mësues që më kanë përkrahur,” kujton Burbuqja.

Pas përfundimit të klasës së pestë dhe operimit, ajo nuk e vazhdoi më shkollimin për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale, familjare dhe mungesës së vlerësimit për rëndësinë e arsimit për persona me aftësi të kufizuara, shkruan Telegrafi.

Sot, Buqja jeton në Prishtinë me babanë, vëllain, kunatën dhe dy fëmijët e tyre, të cilët i do me gjithë zemër dhe prej të cilëve merr dashuri të pastër e të sinqertë. Janë këta fëmijë që ia ndriçojnë ditën dhe i sjellin buzëqeshjen, edhe kur dita është e lodhshme.

Jetën e kalon në mënyrë modeste dhe të rregullt: kujdeset për shtëpinë, përgatit ushqime me dashuri, pastron, ndjek filma e lexon në internet. “Dalëngadalë e kam ndërtuar një botë time, të qetë, të vogël, por që më mban gjallë,” thotë ajo me një buzëqeshje të butë, që mbart shumë paqe dhe mirënjohje.

Në mesin e kësaj përditshmërie të qetë, një dritë e madhe për të ka qenë përfshirja në Shoqatën "Handicap Kosova", të cilën e përmend me dashuri dhe mirënjohje të veçantë. “Kur iu bashkova, ishte kënaqësia më e madhe për mua. Aty ka shoqëri të mirë, stafi është i mrekullueshëm, dhe sidomos mbështetja nga drejtori, z. Jakup Vitija, është e jashtëzakonshme, shumë e ndjeshme, njerëzore dhe me shpirt, sa nuk përshkruhet me fjalë.”

Buqja nuk ka shumë miq jashtë shoqatës, por aty ndjehet e vlerësuar dhe pjesë e një komuniteti që e kupton. Pjesëmarrja në aktivitete, kontakti me të tjerët dhe ndjesia se është e mirëpritur, i japin motivim dhe gëzim. “Mezi pres me shku. Shpesh i ftoj edhe anëtarët e tjerë të mos qëndrojnë të mbyllur, por të dalin dhe të mos dorëzohen.”

Ajo e di shumë mirë çfarë do të thotë të jetosh me paragjykime. “Edhe sot ka njerëz që të shikojnë ndryshe, që nuk të flasin me zemër. Unë nuk reagoj, vetëm e vazhdoj rrugën.”

Por ajo nuk kërkon keqardhje. “Na duhet përkrahje, jo mëshirë,” thotë Burbuqja me bindje. Shëndeti dhe mundësia për të pasur shëtitje të thjeshta e kontakte njerëzore janë dëshirat e saj më të sinqerta. Ajo beson se me më shumë dashamirësi dhe vullnet nga shteti dhe nga shoqëria, jeta për personat me aftësi të kufizuara do të ishte më dinjitoze dhe më e barabartë.

Mesazhi i saj për shoqërinë është i qartë dhe prekës: “Të mos na gjykoni nga ajo që nuk mundemi të bëjmë. Na shihni për atë që bëjmë, me zemër, me mund dhe me shumë më shumë përkushtim sesa mund ta imagjinoni.”

Burbuqe Ballazhi është një nga ata zëra të heshtur që meriton të dëgjohet. Përmes saj, shumë të tjerë mund të ndihen të përfaqësuar, të inkurajuar dhe të kuptuar. Dhe ne, si shoqëri, e kemi detyrë të hapim më shumë dyer, më shumë zemra dhe më shumë mundësi për ta. /Telegrafi/