LAJMI I FUNDIT:

Bunjaku, sulmuesi që po bën emër në Gjermani

Bunjaku, sulmuesi që po bën emër në Gjermani

Albert Bunjaku- njeriu që është shndërruar në njërin prej sulmuesve më të rrezikshëm të Bundesligas, kishte vështirësi të mëdha derisa arriti në këtë nivel. Kosovari shënoi vetëm tre gola prej periudhës 2003 deri 2005 te skuadra Paderborn në nivele më të ulëta. Por më pas gjithçka ndryshoi. Kosovari me pasaportë zvicerane është sulmuesi më i frikshëm në Bundesliga duke shënuar më shumë se gjysmën e golave të shënuar nga skuadra e tij, Nurnberg.

Në një intervistë për HerthaBSC.de, Bunjaku tregon qëllimet e tij për këtë fundsezoni dhe dëshirën për të luajtur në Kampionatin Botëror.

Gjasat e Nurnbergut për të shpëtuar nga rënia në Bundesliga 2?

Ne e kemi vetë në dorë. Ne besojmë në vetvete, dimë dhe mund t’ia dalim. Ne kemi prapa shpinës mbi 45 mijë tifozë në ndeshjet si vendas, të cilët na mbështesin në mënyrë sensacionale. Nëse vazhdojmë të jemi të angazhuar maksimalisht edhe në stërvitje, unë garantoj se do të jemi në nivel të lartë edhe sezonin tjetër.


Bundesliga?

Bundesliga është kampionati më i vështirë, që e kam përjetuar deri më tani. Mendoj i vështirë në kuptimin që: duhet të kesh kujdes në çdo moment, të jesh tejet i përqendruar, dhe nuk duhet t’i lejosh vetes gabime. A jam i befasuar? Po dhe jo. Po, sepse është e pabesueshme se sa ndeshje kam luajtur dhe sa gola kam shënuar. Dhe jo, sepse unë tentoj, që në çdo stërvitje të jem në nivel dhe të përgatitem sa më mirë, e motivimi për këtë më vjen shumë lehtë. Një gjë dihet, kurrë nuk e kam menduar se do të kem një sezon të tillë.

11 golat e shënuar?

Për këtë nuk kam kurrfarë sqarimi, përpos se më duhet të them se kam arritur të dal mirë në skenë. Por, kush shënon gola, nuk ka rëndësi. Për shembull, unë asnjë asistim nuk kam bërë. Unë shpresoj, se do të jem në gjendje të bëj këtë.

Debutimi i tij në përfaqësuesen zvicerane dhe gjasat për botërorin në Afrikën Jugore?

Me atë debutim më është plotësuar një ëndërr. Por, kjo është para së gjithash motivim shtesë, që këtë ndjenjë ta përsëris, dhe që të zhvillohem më tej. Megjithatë, tani më intereson vetëm shpëtimi në Bundesliga. Gjithçka më pas vjen vet.

Gjasat e Zvicrës në Kampionatin Botëror Afrika e Jugut 2010?

Ata që shkojnë në një Botëror, dëshirojnë që të qëndrojnë sa më gjatë që të jetë e mundshme. Kjo vlen edhe për Hondurasin dhe Kilin – ai që është kualifikuar për kampionat botëror, ai duhet të tregoj dhe vlerat, që të arrij në fazën KO. Ne shpresojmë, se do të arrijmë të kualifikohemi për në 1/8 e finales, dhe nëse kemi fat, mund të eliminohet Spanja në fazën e parë.

Synimet sportive dhe private ?

Nga ana sportive aktualisht po e shikoj vetëm klubin. Ne kemi këtu një qëllim të qartë, shpëtimin në Bundesliga. Ne kemi këtu shumë njerëz, për të cilët duam të qëndrojmë në elitë. Dhe nga ana private, dëshiroj shëndet për mua dhe familjen time. /Telegrafi/