Këngëtarja amerikane, Britney Spears, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së publikut pas raportimeve për një arrestim të fundit për vozitje nën ndikimin e alkoolit në Kaliforni.

Sipas burimeve, ajo u ndalua nga policia në fillim të muajit mars, u mbajt për një kohë të shkurtër në paraburgim dhe më pas u lirua.


Megjithatë, vëmendja e mediave është zhvendosur edhe tek aktiviteti i saj në rrjetet sociale.

Spears ka publikuar një video ku shihet duke kaluar kohë cilësore me dy djemtë e saj, Sean Preston dhe Jayden James, në një jaht.

Në pamje, atmosfera duket e relaksuar dhe e lumtur - ata përqafohen, qeshin dhe madje kërcejnë së bashku, duke treguar një afërsi emocionale që nuk ka qenë gjithmonë e dukshme në publik.

Kjo paraqitje publike po interpretohet nga shumë ndjekës si një përpjekje e Spears për të theksuar stabilitetin në jetën e saj personale dhe për të rikthyer lidhjen me familjen, veçanërisht me fëmijët.

Marrëdhënia e saj me djemtë ka qenë e ndërlikuar ndër vite.

Pas divorcit nga Kevin Federline në vitin 2007, Spears humbi kujdestarinë kryesore të fëmijëve.

Kjo periudhë përkoi me sfida të mëdha personale dhe probleme të shëndetit mendor, të cilat u bënë shumë publike dhe ndikuan ndjeshëm në raportin e saj me ta. /Telegrafi/