British Council, me mbështetjen financiare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, shënoi përfundimin e projektit rajonal CybHER në Kosovë përmes një ngjarjeje përmbyllëse që mblodhi përfaqësues nga institucionet qeveritare, industria, akademia dhe shoqëria civile.

Ngjarja, e mbajtur në Innovation Centre Kosovo (ICK) në Prishtinë dhe e organizuar në partneritet me DCAF – Geneva Centre for Security Sector Governance, prezantoi rezultatet dhe ndikimin e projektit në Kosovë, duke hapur njëkohësisht një diskutim më të gjerë mbi mënyrat se si arsimi, institucionet dhe sektori privat mund të bashkëpunojnë për të forcuar ekosistemin e sigurisë kibernetike në vend dhe për të krijuar mundësi të reja për vajzat dhe gratë në këtë fushë.


Duke folur në këtë ngjarje, Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, theksoi rëndësinë e investimit në talentet e reja në fushën e sigurisë kibernetike.

“Përmes iniciativave si CybHER, ne po mbështesim të rinjtë – veçanërisht vajzat dhe gratë – që të zhvillojnë aftësi digjitale dhe të eksplorojnë karrierë në sigurinë kibernetike, një fushë që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shoqëri digjitale të sigurta dhe rezistente”, tha ai.

Lulëzon Jagxhiu, Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, theksoi rolin e institucioneve në zhvillimin e aftësive digjitale dhe përgatitjen e të rinjve për profesionet e së ardhmes.

“Zhvillimi i talenteve në sigurinë kibernetike është thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje digjitale të sigurt, dhe iniciativa si CybHER tregojnë se si bashkëpunimi mes arsimit, institucioneve dhe industrisë mund të hapë rrugë të reja për të rinjtë në Kosovë”, tha ministri.

Në fjalën e saj, Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipëri dhe Kosovë, theksoi vizionin më të gjerë të programit.

“CybHER ka të bëjë më shumë se vetëm me aftësi teknike – ka të bëjë me ndërtimin e vetëbesimit dhe krijimin e mundësive që më shumë vajza dhe gra ta shohin veten si pjesë të fuqisë punëtore të së ardhmes në sigurinë kibernetike”, tha ajo.

Duke përfaqësuar DCAF, Leonora Hasani, Menaxhere e Programit, theksoi rëndësinë e qeverisjes gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike.

“Ndërtimi i shoqërive digjitale rezistente kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe shoqërisë civile. Përmes Programit të Qeverisjes së Sigurisë Kibernetike të DCAF, ne punojmë për të promovuar politika dhe qeverisje efektive dhe të përgjegjshme në këtë fushë”, u shpreh ajo.

Në njoftim thuhet se projekti ka sjellë tashmë rezultate konkrete në Kosovë.

Gjithsej 154 vajza nga 10 shkolla të mesme u njohën me sigurinë kibernetike përmes 10 cyber klubeve, ndërsa mësimdhënës dhe profesionistë të shkollave u trajnuan për të mbështetur edukimin në këtë fushë.

Përveç kësaj, 43 vajza përfunduan trajnime me certifikime të akredituara ndërkombëtarisht dhe nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa 10 vajza të tjera kryen praktika profesionale në kompani të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, ku rreth 50% e tyre siguruan punësim ose praktikë të zgjatur në sektor, pas përfundimit të programit.

Ngjarja përfshiu gjithashtu një fjalë kryesore nga Luanda Domi, Gruaja e Vitit 2025 në Siguri Kibernetike, e cila theksoi se diversiteti dhe përfshirja janë faktorë kyç për ndërtimin e ekosistemeve më të forta të sigurisë kibernetike.

Tre panele diskutimi trajtuan sfidat dhe mundësitë kryesore në këtë sektor.

Paneli i parë, “Tërheqja, zhvillimi dhe mbajtja e talenteve në sigurinë kibernetike”, u fokusua në mënyrat se si Kosova mund të forcojë fuqinë e saj punëtore në këtë fushë dhe të adresojë mungesën e talenteve.

Paneli mblodhi Robert Shala, Drejtor Ekzekutiv në Sentry; Vjosa Osmani, Udhëheqëse e Burimeve Njerëzore dhe Kontrollit të Cilësisë në Cacttus; Shpend Lila, Menaxher në Innovation Centre Kosovo (ICK); Gegë Efendija, Drejtor Ekzekutiv në Pretera; dhe Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi. Paneli u moderua nga Xhanan Karaqa, Udhëheqëse e sigurisë kibernetike në NLB Bankë dhe anëtare e Women4Cyber.

Paneli i dytë “Zërat e CybHER: nga klasa në karrierë,” solli histori personale nga nxënëse, praktikante, mentore dhe mësimdhënës të përfshirë në projekt, duke treguar se si ekspozimi i hershëm ndaj sigurisë kibernetike mund të çojë në mundësi reale karriere.

Sesioni u moderua nga Erza Syla, profesioniste e komunikimit në sektorin e teknologjisë dhe start-up-eve.

Paneli i fundit, “Siguria kibernetike dhe dhuna me bazë gjinore online” “Mbrojtja e njerëzve, jo vetëm e sistemeve” trajtoi sfidat e sigurisë digjitale dhe abuzimit online.

Në panel morën pjesë Fadil Abdyli nga Policia e Kosovës, hulumtuesja Donika Elshani, avokatja Edona Hezeraj dhe prokurori Armend Hamiti, ndërsa moderimi u bë nga Leonora Hasani nga DCAF.

Përmes bashkëpunimit me shkolla, institucione, kompani teknologjike dhe partnerë, projekti CybHER ka kontribuar në ndërtimin e një ekosistemi më gjithëpërfshirës të sigurisë kibernetike dhe në krijimin e rrugëve më të qarta për vajzat dhe gratë që të ndjekin karrierë në këtë sektor në rritje të shpejtë.