Brenton: Vendimi për statusin duhet të merret në fillim të vitit të ardhshëm

Londra beson se "është urgjente, që edhe në mungesë të arritjes së një marrëveshjeje në Këshillin e Sigurimit, Plani i Ahtisaarit duhet të zbatohet vitin e ardhshëm", e transmeton agjencia Interfax ambasadorin britanik.
"Ne shumë do të parapëlqenim që kjo të zgjidhet përmes Këshillit të Sigurimit, por mendojmë se është për të ardhur keq që tash ka pak gjasa që Këshilli i Sigurimit të dakordohet për të zbatuar Planin e Ahtisaarit", ka thënë ambasadori Brenton.
Nga ana tjetër, ish-presidenti sovjetik, Mikhail Gorbachev, i ka akuzuar vendet e Perëndimit për krijimin e "precedentit të rrezikshëm" duke u kërcënuar se do ta anashkalojnë Këshillin e Sigurimit për ta vendosur fatin e Kosovës.
"Ky është një hap i paprecedent, pa mbështetje në aspektin politik apo moral", ka shkruar Gorbachev në të përditshmen "Rossiyskaya Gazeta".
"Për ligjin dhe sigurinë ndërkombëtare është krijuar një precedenti i rrezikshëm, i cili është në gjendje thjesht ta hedhë në erë situatën në një varg rajonesh tjera në botë", e transmeton agjencia AFP ish-liderin sovjetik. /rel/

















































