Brenda dy muajsh, ShBA-ja hoqi nga skena dy liderë miqësorë ndaj Kinës

Nga: John Liu dhe Simone McCarthy / CNN (titulli: The US just took out two China-friendly leaders in two months. Why has Beijing done very little about it?) / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një periudhë të shkurtër, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, hoqi nga skena dy nga aleatët më të afërt të Pekinit: presidentin venezuelas Nicolás Maduro dhe udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Pasi u rrëmbye nga Karakasi nga forcat speciale amerikane - në një bastisje të jashtëzakonshme gjatë një nate - i pari tani ndodhet në pranga në një qendër paraburgimi në Nju-Jork. I dyti u vra pas një hedhjeje të guximshme të bombave në mes të ditës në qendër të Teheranit, në një mision të përbashkët të Amerikës me Izraelin.
Pas kësaj, Kina ka reaguar me zemërim - duke dënuar kapjen ose vrasjen e një lideri sovran dhe përpjekjen e dukshme të ShBA-së për ndryshim regjimi, ndërsa njëkohësisht i është drejtuar Iranit për të shprehur miqësinë e saj. Por, Pekini nuk ka bërë pothuajse asgjë tjetër përveçse të vëzhgojë, teksa rivali i tij gjeopolitik po ndryshon rregullat e angazhimit
Për udhëheqësin kinez Xi Jinping, në lojë është një pragmatizëm i ashpër.
Irani përfundimisht renditet më poshtë se përparësitë e tij kryesore, përfshirë stabilitetin e marrëdhënieve të Kinës me ShBA-në, veçanërisht teksa ai synon samitin e ardhshëm me Trumpin në Pekin më vonë në këtë muaj. Kina gjithashtu mund ta mirëpresë faktin që vëmendja dhe burimet ushtarake të Uashingtonit po largohen nga rajoni i Indo-Paqësorit, thanë ekspertët.
“Kina është një mike e kohëve të mira - me shumë fjalë dhe pak rrezik”, ka thënë Craig Singleton, drejtor i lartë për Kinën në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington. “Pekini do të flasë në Kombet e Bashkuara, por do të shmangë ofrimin e çdo mbështetjeje të rëndësishme për Teheranin”.
Megjithëse Pekini është blerësi më i madh i naftës iraniane, rëndësia strategjike e këtij vendi për Kinën është shumë më e kufizuar sesa mund të supozojnë shumë njerëz. Bashkëpunimi ushtarak midis dy vendeve ka mbetur i kufizuar, dhe flukset e tregtisë dhe investimeve zbehen në krahasim me ato në disa shtete të Gjirit, ndërsa Pekini përpiqet të ruajë marrëdhënie të balancuara në gjithë Lindjen e Mesme.
Kina “nuk sheh përfitim në rritjen e tensioneve me ShBA-në për shkak të Iranit”, tha William Yang, analist i lartë në institutin kërkimor Grupi Ndërkombëtar i Krizave me seli në Belgjikë.
“Ajo ende i jep më shumë rëndësi ruajtjes së armëpushimit tregtar dhe stabilitetit të përgjithshëm në marrëdhënien dypalëshe me ShBA-në, kështu që nuk do të dëshirojë të rrezikojë momentumin që ka ndërtuar me administratën Trump gjatë vitit të fundit”.
Llogaritjet e Pekinit
Kina ka qenë prej kohësh burimi më i rëndësishëm i mbështetjes diplomatike dhe ekonomike për Iranin. Përveç blerjes së pjesës më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, Pekini ka dënuar ato që i quan sanksione “të njëanshme” të ShBA-së, të vendosura ndaj Iranit, dhe ka mbështetur këmbënguljen e Teheranit se programi i tij bërthamor është paqësor.
Në vitet e fundit, Kina e ka ngritur statusin global të Iranit duke e përfshirë atë në grupime të mbështetura nga Pekini, si BRICS-i dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, duke zgjeruar hapësirën diplomatike të Teheranit në një kohë të izolimit nga Perëndimi.
Kompanitë kineze kanë furnizuar gjithashtu kimikatet që janë përdorur në programin raketor të Iranit dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës së tij të mbikëqyrjes së brendshme, ka raportuar CNN-i. Pekini pohon se tregtia e tij me Iranin përputhet me ligjin ndërkombëtar.
Por, Kina ka shmangur vazhdimisht përfshirjen e drejtpërdrejtë në konfliktet e partnerëve të saj, duke shprehur pak dëshirë për t’u përfshirë në çështjet e sigurisë në Lindjen e Mesme - përtej mbrojtjes së aseteve të saj.
Kjo përmbajtje ishte e dukshme gjatë konfliktit të Iranit me Izraelin vitin e kaluar dhe sulmeve ajrore të mëvonshme të ShBA-së, kur Kina gjithashtu ofroi vetëm mbështetje retorike.
“Kina prej kohësh ka shmangur paraqitjen e saj si një garantuese sigurie për vendet e Jugut Global, pasi përfshirja e ShBA-së në Afganistan dhe Irak shërben si shembull paralajmërues që e pengon Pekinin të ndjekë një ambicie të tillë”, tha Yang.
Marrëdhënia e Pekinit me Iranin ndihmon në forcimin e sigurisë së tij energjetike dhe në ndikimin në Lindjen e Mesme, por Kina ka afruar edhe akterë të tjerë rajonalë, si Arabia Saudite - rivali i Iranit - ndërsa përpiqet të ruajë një ekuilibër në Lindjen e Mesme. Në vitin 2023, luajti rol në ndërmjetësimin e një afrimi midis të dyve.
Megjithatë, në Uashington është rritur shqetësimi për forcimin e lidhjeve midis Kinës, Iranit, Rusisë dhe Koresë së Veriut. Udhëheqësit e katër vendeve u mblodhën në Pekin, shtatorin e kaluar, për një shfaqje të habitshme uniteti në një paradë të madhe ushtarake. Në vitet e fundit, Kina, Rusia dhe Irani gjithashtu kanë zhvilluar vazhdimisht stërvitje të përbashkëta ushtarake.
“Irani ka qenë prej kohësh partner i RPK-së, por është larg dhe nuk është qenësor ose ndoshta as kritik për RPK-në”, tha Ja Ian Chong, politolog në Universitetin Kombëtar të Singaporit, duke iu referuar Kinës me emrin e saj zyrtar, Republika Popullore e Kinës.
Por, mbështetja e kufizuar që Pekini i ka ofruar Iranit gjatë dy sulmeve të mëdha ushtarake gjatë vitit të kaluar, ngre pyetje për besueshmërinë e tij si partner në kohë të vështira.
“Të tjerët që punojnë ose dëshirojnë të punojnë me PRK-në për çështje sigurie, mund të pyesin me të drejtë nëse Pekini do t’i braktisë, veçanërisht nëse janë larg nga PRK-ja - si në rastin e Iranit dhe Venezuelës më herët”, tha ai.
Megjithatë, analistët bien dakord se pavarësisht se kush e pason Khamenein, Teherani ka të ngjarë të ruajë lidhjet me Kinën, për shkak të ndikimit së saj ekonomike.
Ngjarjet në Iran ia paraqesin gjithashtu Kinës disa mundësi strukturore, tha Zhu Zhaoyi, drejtor i Institutit të Lindjes së Mesme në Shkollën e Biznesit HSBC të Universitetit të Pekinit.
“Përfshirja e thellë e Amerikës në konflikt ushtarak në Lindjen e Mesme, në mënyrë të pashmangshme devijon burimet dhe vëmendjen e saj strategjike, duke kufizuar objektivisht aftësinë e saj për të mbajtur presion mbi Kinën në Indo-Paqësor”, shkroi të hënën Zhu, në një artikull në internet.
Një fushatë e zgjatur kundër Iranit gjithashtu mund të shterojë rezervat e armëve të Amerikës. Pekini ka ndaluar eksportin e elementeve të rralla të tokës për përdorim ushtarak, gjë që mund ta bëjë më të vështirë për Uashingtonin të rimbushë burimet e veta. Këto elemente janë thelbësore për një gamë të gjerë armësh, nga raketat deri te aeroplanët luftarakë.
Tronditjet afatshkurtra
Por, pengesat afatshkurtra për Kinën, veçanërisht në frontin e energjisë, mbeten të pashmangshme.
Sipas firmës së analizës së të dhënave, KPLER, Pothuajse të gjitha eksportet e naftës bruto të Iranit përfundojnë në Kinë dhe ato përbëjnë rreth 13 përqind të totalit të naftës bruto që Kina importon me rrugë detare.
Tregtia e energjisë midis dy vendeve mbështetet në një rrjet anijesh që dërgojnë naftën iraniane te rafineritë më të vogla dhe të pavarura në bregdetin kinez, shpesh përmes vendeve ndërmjetëse, thonë analistët, të cilët vënë në dukje se kjo praktikë e mban përpunimin të ndarë nga ndërmarrjet shtetërore kineze që do të ishin të prekshme nga sanksionet amerikane.
Këto të ashtuquajtura rafineri “çajnikë” njihen për bashkëpunimin me atë që shpesh quhet flotë e errët cisternash që përdorin taktika fshehjeje për të kontrabanduar mallra të sanksionuara. Administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj akterëve që dyshohet se janë të përfshirë si në transport ashtu edhe në përpunim, ndërsa ka rritur presionin mbi Iranin që nga viti i kaluar.
Pavarësisht importeve të konsiderueshme të naftës iraniane, analistët besojnë se ndikimi afatshkurtër duhet të jetë i menaxhueshëm, pasi gjatë viteve Kina e ka diversifikuar furnizimin e saj me naftë.
Richard Jones, analist i naftës bruto në Aspektet Energjetike, i tha CNN-it se Irani ka rritur eksportet që nga mesi i shkurtit dhe rafineritë private ende mund të kenë qasje në një pjesë të naftës iraniane përmes anijeve të tyre të magazinimit, shumica e të cilave ndodhen pranë Singaporit. Përveç kësaj, ato mund të rrisin edhe marrjen e naftës bruto ruse, shtoi ai.
Megjithatë, një problem më i madh për Pekinin duket të jetë një konflikt i gjerë në rajon dhe ndërprerjet e mëdha në Ngushticën e Hormuzit - një rrugë kritike transporti për naftën bruto prej vendeve që përfshijnë Arabinë Saudite dhe Kuvajtin.
Sipas KPLER-it, nafta bruto nga rajoni përbën rreth një të tretën e kërkesës totale të Kinës dhe më shumë se 50 pëqind të importeve të saj detare, shumica e të cilave transportohen përmes kësaj ngushtice.
Irani kontrollon anën veriore të ngushticës dhe të hënën një këshilltar i një komandanti të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (KGRI) kërcënoi se do t’i “vë flakën” çdo anijeje që kalon aty.
Edhe para komenteve të këshilltarit, trafiku përmes kësaj rruge ujore ishte ndalur në mënyrë efektive për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe pasi cisternat e naftës në rajon u sulmuan gjatë fundjavës.
Mao Ning, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të Kinës, theksoi rëndësinë e ngushticës për tregtinë dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
“Ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në këtë rajon u shërben interesave të përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar”, tha ajo të martën, në një konferencë për shtyp.
Por, vitet e tëra me grumbullim rezervash mund ta mbrojnë Kinën nga tronditjet e menjëhershme të furnizimit. Kina tani mban rreth 1.2 miliardë fuçi rezerva të naftës bruto në tokë, të barabarta me rreth 115 ditë të importeve të saj detare të naftës bruto, tregojnë të dhënat e KPLER-it.
Një alternativë ndaj SHBA-së
Kina ka të ngjarë të përdorë ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së në Iran për të forcuar mesazhin e saj, veçanërisht ndaj vendeve në Jugun Global, se Uashingtoni vepron si fuqi hegjemonike, ndërsa Pekini paraqitet si mbrojtës i parimit të mosndërhyrjes.
Disa analistë kinezë argumentojnë se mosdhënia e garancive të sigurisë për partnerët përfaqëson një qasje të llogaritur nga Pekini që e dallon atë nga ShBA-ja.
“Kjo i jep Kinës fleksibilitet më të madh, ul rrezikun e shtrirjes së tepërt strategjike dhe shmang kostot që vijnë me garantimin e sigurisë së aleatëve”, tha Zichen Wang, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qendrën për Kinën dhe Globalizimin - institut kërkimor joqeveritar në Pekin.
“Por, gjithashtu kufizon aftësinë e Pekinit për të ndikuar në rezultatet e sigurisë së fortë, sapo një krizë bëhet e dhunshme”, shtoi ai, duke paralajmëruar se mosveprimi i Kinës mund të inkurajojë më tej lëvizjet e rrezikshme të Trumpit. /Telegrafi/

















































