Vijon bllokimi i aksit Librazhd–Qafë Thanë, ambulancat mbeten në trafik pas rënies së gurëve

Prej disa orësh vijon bllokimi i aksit rrugor Librazhd–Qafë Thanë, si pasojë e rënies së dheut dhe gurëve në rrugë, duke paralizuar qarkullimin në një nga segmentet më të rëndësishme lidhëse në vend.
Sipas pamjeve të publikuara nga Top Channel, në trafik kanë mbetur të bllokuara edhe ambulanca. Në një rast, një i sëmurë që po transportohej me ambulancë nga Librazhdi drejt Tiranës është detyruar të kalojë me barrelë mbi rrugën e mbuluar nga dheu dhe gurët.
Si pasojë e bllokimit, mijëra automjete kanë mbetur në trafik për orë të tëra, ndërsa situata ka shkaktuar vonesa të mëdha dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar këtë të diel me një njoftim zyrtar lidhur me situatën në aksin Elbasan–Qafë Thanë.
Sipas ARRSH-së, bllokimi ka ndodhur në zonën e fshatit Dragostunjë, për shkak të rënies së një masivi gurësh dhe materialesh inerte në rrugë.
Autoriteti bën të ditur se menjëherë pas bllokimit janë angazhuar mjetet dhe punëtorët e kontraktorit të mirëmbajtjes për pastrimin e aksit dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.
“Në aksin Elbasan–Qafë Thanë, në fshatin Dragostunjë, ka pasur rënie të një masivi gurësh dhe materialesh. Menjëherë kontraktori dhe shërbimet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë me mjete dhe punëtorë për të kthyer gjendjen e aksit në normalitet sa më parë. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës”, njofton ARRSH.
Puna për hapjen e plotë të aksit vijon, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
- YouTube www.youtube.com










































