LAJMI I FUNDIT:

“Black Panther” tregon se keqbërësit janë ata që mund të ishin heronj

“Black Panther” tregon se keqbërësit janë ata që mund të ishin heronj

Kur revista “Empire” më 2016 e publikoi listën e 50 keqbërësve më të njohur në film, nuk kishte vend për asnjë kriminel të Universit Kinematografik të Marvel-it (MCU). Në fakt, përjashtim bënte veç një keqbërës i stripave, Jokeri i Heath Ledgerit nga “The Dark Knight” – film i vitit 2008. MCU ka pasur momentet e saja, kur është fjala te eksponentët karizmatikë të së keqes – zemërthyeri i ftohtë e i keq Loki i luajtur nga Tom Hiddleston te filmi “Thor” i Kenneth Branaghit, si dhe Cate Blanchett – si e pamëshirshmja Hela, në vazhdimin “Thor: Ragnarog”. Por, do të ishte e drejtë të thuhet se kanë pasur më shumë të meta se sa goditje në këtë rrugëtim.

Një nga aspektet më të besueshme të suksesit të filmit “Black Panther”, ka qenë mënyra se si i kundërvihet këtij trendi. Erik Killmonger i Michael B. Jordanit është keqbërësi i parë, që nga Loki, që e vjedh filmin nga karakteri i titullit të Marvelit. Është në personin e Killmongerit – e jo të atij të T’Challa/Black Pantherit të luajtur nga Chadwick Boseman – zemërimi i drejtë kundër kolonializmit dhe keqtrajtimit të vazhdueshëm në botë të njerëzve me origjinë afrikane. Se ai është tamam keqbërës kjo nuk ka rëndësi. Ne e kuptojmë zemërimin e tij të justifikuar dhe e kuptojmë po ashtu se pse është e gabuar rrjedha e dhunshme e veprimeve që ai ndërmerr për të rivendosur drejtësinë.

Nëse i shohim disa nga keqdashësit më të mëdhenj në historinë e stripave, është e qartë se shumë nga ata kanë kuptuar – të paktën në disa nivele – motivet për veprimet e tyre të liga. Loki është xheloz për dashurinë e Odinit për Thorin dhe e di se ai kurrë nuk do të qëndrojë gjatë në panteonin Asgardian, sepse është një gjigant i ngrirë i adoptuar, e jo një vendas tamam i planetit. Doctor Octopus i Alfred Molinas në “Spider-Man 2” është çmendur nga vdekja e gruas së tij të dashur gjatë një eksperimenti. Ndërhyrja e Michael Keatonit së voni në “Spider-Manin: Homecoming” ka një mëri legjitime kundër hapësirës së papenguar që u jepet superheronjve të botës.


Natyrisht, jo të gjitha keqbërësit kërkojnë sfonde komplekse për të shpjeguar veprimet e tyre. Darth Vader ishte fascinues edhe kur e njihnim veç si robot të vdekjes, pa fytyrë, shndritës, të zi (në trilogjinë origjinale), para se të shfaqeshin të gjitha trazirat e brendshme që çuan në rënien e tij (në paravazhdimet). Por, Vader ndoshta është unik: kostumi i shquar i veshur nga Dave Prowse në filmat origjinale të Star Wars, si dhe aftësia e James Earl Jonesit për të prodhuar tonet e tmerrit, krijojnë një përbindësh i cili kurrë nuk ishte hasur më parë.

Natyrisht, në kohën kur saga origjinale afrohet te “The Return of the Jedi” (1983), shohim gjithçka që duhet për të parë humanizmin bazik të lordit të tërbuar në ato skenat përfundimtare të vdekjes me djalin e tij, Luke Skywalker. Udhëtimi i tij nga fashisti pa fytyrë te heroin vetëmohues shpengues është i plotë. Gjithashtu, Terminatori i Arnold Schwarzeneggerit është interesant për vendosmërinë e tij të pamëshirshme për të vrarë – në pjesën origjinale të vitit 1984, të James Cameronit. Ndërsa, më interesante është të kuptojmë se i njëjti model është i aftë të përjetojë emocione njerëzore – në vazhdimin e vitit 1991, “T2: Judgment Day”.

Në mungesë të departamenteve të kostumeve të afta për alkiminë fantastiko-shkencore, të interpretuesve të ikonoklastisë, apo karizmës së Schwarzeggerit, Killmongeri i Jordanit duket si një model i shkëlqyeshëm i Marvelit për t’u huazuar në të ardhmen. Ndoshta Kevin Feige dhe ekipi i tij mund të shkojnë një hap më tej dhe ta bëjnë keqbërësin e ardhshëm të MCU-së një superhero. “Captain America: Civil War”, për pak sa nuk e arriti këtë me forcën e duhur nga Tony Stark/Iron Mani – i luajtur nga Robert Downey Jr. me rolin e përkohshëm të djalit të keq. Ndoshta tabelat mund të shndërrohen, me një episod të ardhshëm ku e shohim Chris Evansin e mirë në karakterin e Steve Rogersit tek merr një rol të neveritshëm.

Do të ishte një manovër e rrezikshme që prodhuesit e lodrave do t’i bënte me inat. Por, “Black Panther” na ka mësuar se keqbërësit më të njohur të stripave janë ata që lehtë mund të jenë heronj të pjesëve nëse do të kishin bërë një zgjidhje pak më ndryshe në rrugën e tyre. /Telegrafi/