Si pasojë e shkarjes së një masivi shkëmbor në afërsi të fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec.

Sipas informacioneve nga terreni, shkarjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.


Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi në këto momente janë rritur temperaturat duke shkaktuar shkrirje të borës e akullit por edhe të shkëputjes së shkëmbinjve, raporton Top Channel

Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka vendosur konët e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.

Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative, deri në një njoftim të radhës për normalizimin e qarkullimit.

Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec.