LAJMI I FUNDIT:

Biden i drejtohet sot kombit për situatën në Afganistan

Biden i drejtohet sot kombit për situatën në Afganistan

Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të kthehet sot në Shtëpinë e Bardhë nga kampi veror presidencial i Camp David, në mënyrë që t’i drejtohet kombit në lidhje me evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Afganistani, një ditë pasi talibanët morën kontrollin mbi Kabulin.

Biden do të mbajë një fjalim sonte rreth orës 21:45 me kohën e Evropës Qendrore, i cili do të jetë fjalimi i tij i parë publik mbi çështjen afgane në pothuajse një javë, raporton AP.

Shpejtësia e rënies së qeverisë afgane dhe kaosi që është krijuar është sfida më e madhe që kur Biden u bë president, dhe për shkak të kësaj, ai ishte subjekt i kritikave nga republikanët të cilët e akuzuan për dështim.


Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha sot se Afganistani ka rënë më shpejt nga sa priste administrata amerikane dhe fajësoi afganët për rënien e qeverisë.

“Sigurisht që shpejtësia me të cilën kanë rënë qytetet afgane është shumë më e madhe nga sa priste dikush. SHBA nuk mund t’i japin ushtrisë afgane vullnetin për të mbrojtur demokracinë e saj nga talibanët. Në fund të ditës, përveç faktit që ne kaluam 20 vjet atje dhe investuam dhjetëra miliarda dollarë për t’i ndihmuar ata, ajo që ne nuk mund t’i rrënjosnim tek ata ishte vullneti, dhe ata përfundimisht vendosën të mos luftojnë për Kabulin ose vendin, “tha Sullivan.