BE-ja kërkon të integrojë Ukrainën në programin e saj hapësinor dhe të sigurojë sistemin satelitor

Komisioni Evropian i paraqiti Këshillit të BE-së një propozim për të hapur negociatat me Ukrainën, në lidhje me pjesëmarrjen e saj në komponentin qeveritar të komunikimeve satelitore (Govsatcom) brenda Programit Hapësinor të BE-së dhe Programit të Lidhshmërisë së Sigurt të Unionit.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, në një konferencë për shtyp në Bruksel, njoftoi këtë nismë, transmeton Telegrafi.
Komisioni dëshiron që Ukraina t'i bashkohet nismave hapësinore evropiane.
"Ne duam ta shoqërojmë plotësisht Ukrainën me programin qeveritar të komunikimeve satelitore të BE-së, i njohur edhe si Govsatcom. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse mbrojtja dhe hapësira shkojnë dorë për dore", tha Regnier.
Duke kujtuar se Ukraina është tashmë plotësisht e angazhuar në programet e mbrojtjes të BE-së, ai tha se "tani është koha të bëjmë të njëjtën gjë për hapësirën".
"Lidhja e Ukrainës me Govsatcom do të sigurojë lidhje të sigurt hapësinore. Kjo është jetike për konkurrueshmërinë e Ukrainës, për vendin në tërësi dhe për qytetarët e saj", theksoi Regnier.
Komisioni Evropian tha se hapi tjetër do të jenë negociatat midis shteteve anëtare të BE-së dhe një vendim i Këshillit, për përfshirjen e Ukrainës në programet hapësinore të BE-së.
Pjesëmarrja e Ukrainës do të konfirmohet zyrtarisht pas përfundimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare sipas Nenit 218 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE). /Telegrafi/













































