Bashkimi ndal Vardarin, Struga e vetme mban kreun

Java e tetë e LPM-së solli një super derbi në Kumanovë, ku Bashkimi përballoi rivalin historik, Vardarin. Atmosfera ishte e mrekullueshme, ndërsa në fushë u zhvillua një duel i fortë dhe shumë i luftuar, por që përfundoi pa fitues 0:0, njofton Telegrafi.
Bashkimi ishte shumë pranë golit në fund të pjesës së parë kur pas një aksioni të bukur, Marko Simonovski doli ballë për ballë me portierin Taleski, por ky i fundit reagoi mirë duke shpëtuar kuqezinjtë nga një disfatë e mundshme. Edhe në pjesën e dytë Vardari kishte më shumë posedim, por pa ide të qarta në fazën sulmuese, ndërsa kumanovarët kërcënuan kryesisht me kundërsulme. Derbi u mbyll pa gola, duke konfirmuar rivalitetin e madh mes dy skuadrave, por njëkohësisht edhe faktin se Bashkimi është bërë pengesa më e fortë për ekipet e mëdha të ligës.
Nga ky barazim përfitoi më së shumti Struga Trim&Lum, e cila vazhdon të shkruajë historinë e saj në futbollin vendor. Kampionët e para dy sezoneve shënuan fitoren e shtatë këtë edicion, pasi mposhtën Pelisterin me rezultat 2:0. Hero i ndeshjes ishte Kristian Maleski, i cili realizoi dy herë në pjesën e dytë dhe i dhuroi tri pikë të arta skuadrës së drejtuar nga Bledi Shkëmbi.
Me këtë fitore dhe pas hapit fals të Vardarit në Kumanovë, Struga ka marrë e vetme kreun e tabelës me 22 pikë, dy më shumë se rivalët Vardari dhe Shkëndija. Ndërkohë Bashkimi mbetet në pozitën e pestë me 14 pikë, duke konfirmuar ambiciet për të qenë pjesë e kreut. /Telegrafi/
Rezultatet e javës së tetë:
Arsimi – Shkupi 4-2
Tikveshi – Makedonija Gj.P 2-1Rabotniçki – AP Brera 3-4
Shkëndija – Sileksi 2-0Struga TL – Pelisteri 2-0
Bashkimi – Vardari 0-0

















































